Gjykata e Apelit ka publikuar vendimin në ankesën e të akuzuarve në procesin e quajtur “Grupi i Llapit” në të cilin akuzoheshin ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kësaj zone.
Apeli nuk e ka ndryshuar fare vendimin e shkallës së parë, përpos pjesës së kohës së kaluar në paraburgim e cila do t’iu llogaritet atyre. Kështu, Latif Gashi do ta vuajë dënimin unik prej 6 vjet burgim, Nazif Mehmeti do ta vuajë dënimin prej 3 vjetësh burgim, ndërsa Rrustem Mustafa-Remi do ta vuajë dënimin unik prej 4 vjet burgim.
Vendimi i Gjykatës së Apelit është marrë më 11 gusht, ndërsa është publikuar sot, transmeton TV Arta. Grupi i Llapit ishte gjetur fajtor në vitin 2013 në disa pika të akuzave për krime të luftës. Sipas vendimit të Gjykatës të pandehurit nga muaji tetor 1998 deri kah fundi i prillit 1999, me përgjegjësi mbikëqyrëse dhe personale, duke vepruar në bashkëpunim me individë të tjerë të paidentifikuar, kanë urdhëruar dhe kanë marrë pjesë në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë të Kosovës të mbajtur në mënyrë të kundërligjshme në qendrën e mbajtjes së të burgosurve në Llapashticë.
Latif Gashi dhe Rrustem Mustafa janë deputetë në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së.
Sipas ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, neni 8 pika 1.6, deputeti humb mandatin pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës, kur ata dënohen me burgim prej 1 ose më shumë vjet./Koha.net