Screenshot

Bashkimi Evropian duhet ta rimendojë përkrahjen për Ukrainën pas fitores së republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të ShBA-së, tha kryeministri hungarez, Viktor Orban, para një samite të udhëheqësve të BE-së të premten, duke shtuar se Evropa nuk mund ta financojë vetëm këtë luftë.

Trumpi e ka kritikuar nivelin e përkrahjes amerikane për luftën e Ukrainës kundër pushtimit të plotë rus dhe para zgjedhjeve ka premtuar se do t’i japë fund luftës madje para se të inaugurohet në Shtëpinë e Bardhë, pa shpjeguar si, raporton agjencia “Reuters”.

“Amerikanët do ta lënë këtë luftë, në rend të parë ata nuk do ta inkurajojnë luftën” – tha Orbani, aleat i ngushtë i Trumpit, të premten në radion shtetërore para samitit joformal të BE-së që ai po e organizon në kryeqytetin hungarez.

“Evropa nuk mund ta financojë këtë luftë vetëm… Disa ende duan që ta vazhdojnë dërgimin e sasive të jashtëzakonshme të parave në këtë luftë të humbur, por numri i atyre që mbeten të heshtur… dhe i atyre që me kujdes argumentojnë se ne duhet t’i përshtatemi situatës së re, është duke u rritur” – shtoi kryeministri Orban.

Bashkë me Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të tij janë në mesin e donatorëve më të mëdhenj të ndihmës ushtarake dhe financiare për Ukrainën dhe shumica e udhëheqësve të BE-së kanë shprehur përkrahje të fuqishme për ta vazhduar këtë rrugë.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e përsëriti këtë qëndrim të premten në Budapest, duke thënë se Evropa duhet ta forcojë mbrojtjen e vet.

“Rusia e ka pushtuar Ukrainën dhe po e vazhdon këtë luftë me brutalitet të pandryshuar. Një çështje është goxha e qartë: Së bashku si Bashkim Evropian, si evropianë, ne duhet ta bëjmë atë që është e nevojshme për sigurinë tonë. Kjo do të jetë posaçërisht e suksesshme, nëse secili e jep kontributin e vet” – tha ai.

Orbani ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë, të pasuar nga bisedimet e paqes me Kievit e Moskës. Sidoqoftë, thirrja e tij është kundërshtuar nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Është një sfidë shumë e frikshme për qytetarët tanë: së pari armëpushim, pastaj do të shohim. Kush jeni ju? A po vdesin fëmijët tuaj” – tha Zelensky në një konferencë për gazetarë në Budapest të enjten, vetëm disa minuta pasi Orbani e përsëriti thirrjen e tij.

“Po propozohet një armëpushim, për shembull nga një udhëheqës që është kundër pasjes së Ukrainës në NATO. Imagjinoni. Kjo është absurd dhe mungesë harmonie” – shtoi ai.