Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim të enjten gjeneralin Wesley Clark, i cili më parë ka qenë ish-komandant suprem i NATO-s gjatë luftës në Kosovë.
Siç thuhet në komunikatën e ZKM-së, Clark vazhdon të mbetet mik dhe përkrahës i popullit dhe shtetit të Kosovës. Clark në takim ishte bashkë me të birine tij.
Në takimin e Kurtit me Clark u diskutua edhe për zhvillimet aktuale rajonale. ZKM shton se, ushtaraku amerikan u interesua për planet zhvillimore të Republikës së Kosovës.
“I shoqëruar nga i biri që i ka përtërirë emrin dhe bashkëpunëtorë nga vende të ndryshme, ushtaraku amerikan u interesua për planet zhvillimore të Republikës së Kosovës në një kohë të ndryshimeve dhe mundësive të mëdha në botë. Bashkë diskutuan përparimin që ka shënuar vendi ynë, për zhvillimet aktuale rajonale, dhe për mundësitë e bashkëpunimit”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Më tutje, citohet që Kurti e ka falënderuar Clark për kontributin e dhënë për Kosovën.
“Kryeministri Kurti falënderoi gjeneralin Clark për interesimin e vazhdueshëm për vendin tonë, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për çka i jemi mirënjohës gjithmonë”, thuhet në njoftim.