Trajneri i skuadrës së Llapit, Tahir Batatina, është prononcuar para ndeshjes shumë të rëndësishme që Kosova e zhvillon sonte ndaj Rumanisë.

Ai për ‘GazetaBlic Sport’ tha se ndeshja e sotme është ndoshta më e rëndësishme pas asaj ndaj Maqedonisë së Veriut dhe se në rast se nuk fitohet ky grup, atëherë mund të konsiderohet si një dështim i madh i kësaj kampanje të Ligës së Kombeve.

“Ndeshja e sotme është ndeshja më e rëndësishme pas asaj ndaj Maqedonisë së Veriut që nga pranimi në FIFA dhe në UEFA. Në rast se nuk e fitojmë këtë grup, vlerësoj se do të jetë një kampanjë totalisht e dështuar, sepse kishim një grup, në të cilin lehtësisht mund të përfundonim në pozitën e parë. Bazuar tek ndeshja e parë ndaj Rumanisë, mendoj që do të jetë shumë e vështirë sonte në Bukuresht, pavarësisht që shpresoj që të fitojmë e të kualifikohemi”, tha fillimisht Batatina.

Tutje, trajneri kosovar tha se në rast se ai do të ishte në krye të Kombëtares së Kosovës, sot e gjitha shqiptaria do ta festonte suksesin dhe triumfin brenda këtij grupi.

Sipas tij, Franco Foda nuk ishte trajneri i duhur dhe se e ka dëshmuar se nuk di të menaxhojë emrat e njohur si Zhegrova, Muriqi e Rrahmani.

“Nëse FFK-ja do të merrte një vendim të guximshëm, duke me zgjedhur mua si trajner, ashtu siç e bëri Kroacia me Dalic, ju garantoj që Kosova dhe të gjitha trojet shqiptare do të festonin sonte suksesin tonë në këtë grup. Mendoj që Foda nuk është një trajner i duhur për Kosovën dhe nuk ka dhënë fryte të mira. Ndeshjet e fundit do t’i fitoja me një grup të lojtarëve nga Superliga. Ndeshja e parë ndaj Rumanisë e ka dëshmuar se ky trajner nuk mund ta kualifikoj Kosovën tutje dhe se nuk ka aftësi për të menaxhuar futbollistë të jashtëzakonshëm siç janë: Rrahmani, Muriqi e Zhegrova. Ne kemi skuadër, por nuk kemi një trajner që i njeh rrethanat dhe ky është zhgënjimi i madh”, vazhdoi tutje Batatina.

Krejt në fund, ai komentoi edhe pankartat dhe thirrjet raciste që mund të ndodhin sonte ndaj Kosovës nga tifozët rumunë, ku tha se në rast se përsëritet kjo gjë, atëherë ‘Dardanët’ duhet të largohen nga fusha dhe të mos kthehen më, edhe nëse do të dënohen pastaj.

“FFK-ja dhe Kombëtarja e Kosovës gabimin më të madh do ta bëjë nëse pranon të luajë në një fushë ku ka pankarta raciste dhe atje ku dëgjohen thirrje nacionaliste kundër vendit tonë. Ne duhet të largohemi nga fusha dhe të mos kthehemi më, të ju tregojmë të gjithëve se jemi shtet dhe e mbrojmë atë. Edhe nëse dënohemi, kjo nuk ka rëndësi, e rëndësishme është që ta mbrojmë identitetin dhe emrin e Republikës së Kosovës”, përfundoi Batatina.