Përleshjet në të cilat përfshihen qytetarët në vendin tonë janë goxha të shpeshta dhe kjo po konsiderohet edhe si cenim i sigurisë publike. Të tilla incidente ndodhin jo rrallëherë edhe në kafeteri, siç ndodhi gjatë ditës së djeshme në veri.
Rrahja ka ndodhur në lokalin ‘Atlantida’ në Leposaviq, ku një 22-vjeçar është sulmuar brutalisht nga disa persona, për motive akoma të panjohura.
Bazuar në informacionet e para, viktima është grushtuar e goditur me shishe brenda lokalit nga pesë persona dhe për pasojë ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ndërsa i riu është dërguar me urgjencë në spital për trajtim mjekësor.
Njësia policore ka arritur t’i arrestojë dy nga pesë të dyshuarit, të cilët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim – ndërsa tre të tjerë janë identifikuar dhe po kërkohen.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar dhe po ndërmerren veprimet e nevojshme.