Një numër i madh i të dyshuarve që kërkohen nga organet e rendit arrijnë ta shijojnë lirinë nga arratia. Plot të akuzuar e të dënuar për vepra të ndryshme penale, që kanë ikur nga duart e drejtësisë, shpallen në kërkim dhe ndaj tyre lëshohen urdhëresa.

Një i dënuar për vjedhje të shërbimeve përfundoi së fundmi në pranga pasi mospagesa e gjobës i kushtoi me burgim, raporton Gazeta Sinjali.

58-vjeçari ishte në listën e personave të kërkuar, bazuar në një urdhëresë aktive të lëshuar ndaj tij.

Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për Z.Avdiu, i cili është arrestuar në Fushë Kosovë.

Avdiu ishte shpallur fajtor dhe dënuar me gjobë për vjedhje të shërbimeve – por s’e kishte kryer pagesën prej qindra eurosh.

Të njëjtat burime thonë se për pasojë gjoba është zëvendësuar me burgim dhe i njëjti është dërguar në njërën nga qendrat korrektuese në vend për ta vuajtur dënimin.

Ndryshe, kur një person i akuzuar dënohet me gjobë, në aktgjykim shënohet afati kur duhet paguar gjoba dhe mënyra e zëvendësimit të gjobës.