Arianit Besiri shkruan histori me fitoren e tij në zgjedhjet lokale. Besiri ka fituar në zgjedhjet për kryetar të komunës në Morbach në landin Rheinland-Pfalz.

Madje ai ka arritur 60% të votave në komunën me 11 mijë banorë.

“Kjo fitore shënon një precedent të rëndësishëm në historinë gjermane: një shqiptar nga #Mitrovica zgjidhet për herë të parë kryetar komune. Arianiti, i cili ishte vetëm një vjeç kur familja e tij u shpërngul nga Kosova si pasojë e represionit serb, ka arritur një sukses që frymëzon të gjithë shqiptarët.
I angazhuar prej vitesh në politikën gjermane, Arianiti ka qenë aktiv në kuadër të SPD-së dhe së fundmi duke shërbyer si bashkëpuntor shkencor tek deputeti Lars Castellucci, kryetar i Komisionit për Politikë të Brendshme në Bundestagun gjerman.
Fitorja e tij nuk është thjesht një arritje personale, por një mesazh i fuqishëm për diasporën shqiptare dhe brezat e ardhshëm: suksesi dhe përkushtimi nuk njohin kufij kombëtarë. Shqiptarët, kudo që ndodhen, mund të kontribuojnë në mënyrë të fuqishme në çdo nivel të shoqërisë.
Urime Arianit! Një histori suksesi që na bën të gjithëve krenarë” shkruan ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti në postim.