Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se kanë nisur procedurat për projektin e banimit të përballueshëm.
Ky projekt do të kushtojë 38 milionë euro dhe do ta përfshijë edhe Podujevën.
Shkrimi i plotë:
Ta bësh Kosovën të jetueshme do të thotë ta bësh Kosovën të banueshme. Këtë e bën projekti ynë i Banimit të Përballueshëm, që siç e kemi premtuar edhe do ta realizojmë. Për të kemi punuar nga fillimi i mandatit:
-Në prill të vitit 2021 formuam komitetin këshillues për studimin e fizibilitetit;
-Në shkurt 2022 kemi pranuar studimin e fizibilitetit ku theksoheshin rrugët që duhet ndjekur, çështja e pronave dhe sfidat që parasheh ky projekt;
-Në shkurt të vitit 2024 hapëm thirrjen për të gjitha komunat që të aplikojnë për banim të përballueshëm;
-Në korrik 2024 miratuam në Qeveri projektligjin për këtë projekt; dhe
-Sot, 29 nëntor 2024 po e hapim tenderin për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm.
Po e nisim me komunën e Pejës, Gjilanit, Podujevës dhe Istogut, ndërkaq shumë shpejt do të procedojmë edhe me nëntë komuna tjera që janë në procedurë.
Do të sigurojmë banim për të gjithë. Banim të dinjitetshëm, jo vetëm strehim.