Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj kryeministrit Kurti, për deklaratën e tij në konferencën që mbajti sot, lidhur me vendimin e Thaçit për shkuarjen e FSK-së në veri.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se armiqtë e Kosovës Kurti i ka vetëm në mendjen e tij dhe se ata të vërtetët janë jashtë Kosovës.
Çitaku i ka bërë thirrje Kurtit që nëse nuk mund ta mbështes Thaçin që gjendet në Hagë, ta lërë rehat, pasi ai është në betejë për historinë dhe të ardhmen e vendit.
Postimi i saj i plotë:
I nderuari Kryeministër,
Armiqtë e Kosovës, ata të vërtetit janë jashtë Kosovës, e ata imagjinarët janë vetëm në mendjen tuaj.
Hashim Thaçi, opozita, mediat, nuk qeverisin me Kosovën. E keni shumicën absolute, vendimet i merrni ju, si për polici, si për AKI, si për FSK-në.
Ato vendime që janë në funksion të fuqizimit të Republikës i mbështesim edhe ne.
E Hashim Thaçin, nëse nuk mund ta mbështesni, lejeni rehat. Sot ai është në betejë për historinë dhe të ardhmen tonë.