Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së djeshme është takuar në Bruksel me Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos. Ky është takimi i parë mes tyre që prej se Kos ka marrë detyrën e re.

Kurti shkroi për këtë takim duke thënë se me Kos diskutuan për marrëdhëniet Kosovë-BE dhe për sulmin terrorist të së premtes në kanalin e Ibër-Lepencit. Kurti ka thënë se sulmi ishte nga libri i lojërave të Rusisë, e cila sulmoi infrastrukturën civile kritike në Ukrainë.

Ai është shprehur se kjo është edhe arsyeja pse Kosova vazhdimisht ngre alarmin për aleancën e Serbisë me Rusinë.

“Dje në Bruksel takova Komisioneren e re të Zgjerimit @MartaKos dhe e urova për postin e ri. Diskutuam marrëdhëniet Kosovë-BE dhe avancimin tonë demokratik dhe progresin socio-ekonomik. Theksova rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë për bashkëpunimin rajonal dhe theksova se kërcënimet e sigurisë duhet të marrin fund dhe ata që janë përgjegjës për sulmin e fundit terrorist në infrastrukturën tonë kritike duhet të mbajnë përgjegjësi. Sulmi ishte nga libri i lojërave të Rusisë, e cila sulmoi infrastrukturën civile kritike në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse ne ngremë alarmin për aleancën e Rusisë me Serbinë”, ka shkruar Kurti.

https://x.com/albinkurti/status/1864581961118843033/history

Ai ka thënë se Kosova është e përkushtuar ndaj reformave të BE-së dhe Planit të Rritjes dhe ne mezi presim të marrim pyetësorin e KE-së për të avancuar drejt anëtarësimit në BE.

Kanali i ujit të Ibër-Lepencit u sulmua mbrëmjen e së premtes. Nga ky kanal furnizohen me ujë disa qytete të vendit përmes Liqenit të Ujmanit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Pas këtij sulmi, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës janë aktivizuar në terren për këtë qëllim. Kosova ka akuzuar për këtë sulm Serbinë. Sulmi është dënuar edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë.