Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi ka thënë se nuk e mirëkupton vendimin e lidershipit të LDK-së për ta lënë atë jashtë listës së kandidatëve për deputetë.
Në një shkrim të publikuar në Facebook të mërkurën pas publikimit të listës së plotë me emrat e kandidatëve për deputetë të LDK-së, në të cilën nuk ndodhej emri i tij, Bislimi tha se ai do të vazhdojë të punojë për “interesin shtetëror” dhe “kauzën kombëtare”.
“Unë kam qenë tepër transparent në konceptet e mia për LDK-në. Bile, e kam tejkaluar edhe vetën, dhe përkundër të gjithave, i kam ofruar lidershipit të LDK-së gatishmërinë time për të ndihmuar LDK-në në sfidën zgjedhore të rradhës. Por, vendimi i tyre tanimë është i kjartë — ata nuk kanë nevojë për një nga ish-deputetët më të zëshëm e një nga aktivistët më të suksesshëm të kauzës sonë në SHBA”, ka thënë ai.
“Për të gjithë miqët e dashamirët që kanë shprehur indinjatën e tyre për mos përfshirjen time në listën e kandidatëve për deputetë nga LDK për zgjedhjet e 9 shkurtit, dua të them vetëm një gjë: veprimtaria ime për shtetin dhe kombin vazhdon, dhe assesi nuk ndikohet nga përjashtimet si kjo!”.
Bislimi ka thënë se ata që veprojnë me inati në politikë, e kanë “të shkurtër qëndrueshmërinë politike”.
“Ata që vendosin në emër të një partije mbi bazat e mospëlqyeshmërive personale dhe inateve, e kanë të shkurtë qëndrueshmërinë politike. Dallimet konceptuale për të mirën e partisë dhe vendit duhet parë si sharm i demokracisë dhe jo si armiqësi e sfidë personale”, tha Bislimi. “E kuptoj këtë vendim, por assesi nuk e mirëkuptoj më”.