Fadil Fazliu, vëllai i heronjve Fazli e Bahri Fazliu, i arrestuar sot me urdhër të ZPS-së, po vazhdon të mbahet ende në zyrat e EULEX-it, në Fushë-Kosovë.
Ndërsa, ende nuk dihet se kur do të dërgohet për në Hagë.
Djali i tij, Fahri Fazliu, tha se nuk i është lejuar të hyjë brenda objektit ku po mbahet babai i tij dhe po ashtu as ta takoj atë.
Ai tha se ka kërkuar të informohet për shëndetin e Fadil Fazliut, por sipas tij kjo nuk iu lejua me arsyetimin se janë procedura të Dhomave të Specializuara.
“Nuk më lejuan që të hyjë sepse më thanë ‘ i kemi procedurat tona të Dhomave të Specializuara të Hagës’. Insistova por na thanë që nuk lejohet, me shëndet thanë që është mirë. Në banesën tonë nuk ka pasur bastisje, sot duke shkuar në punë ka ndodhur arrestimi i tij. Kanë qenë katër xhipa. Nuk kanë treguar se për çfarë arsye është arrestuar”, tha ai duke bërë të ditur se nuk është njoftuar as se kur do të transferohet Fadil Fazliu për në Hagë.
Jo nuk më treguan se kur transferohet (për në Hagë), ka shtuar më tutje ai.