Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka reaguar pasi përfaqësuesit e Listës Serbe u penguan të marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës ditën e sotme.

Petkoviq tha se Vuçiq pati të drejtë kur ai tha se plani i Kurtit ishte “eliminimi i listës Srpska”.

“Edhe një herë presidenti Aleksandar Vuçiq tregoi se kishte të drejtë kur tha se plani i Kurtit ishte eliminimi i listës Srpska me të gjitha mjetet dhe për këtë arsye u lansua makina propagandistike e Prishtinës në lidhje me kanalin Ibër-Lepenc. Kur kjo nuk funksionoi për Kurtin, ai vendosi t’i ndalojë fizikisht anëtarëve të Listës Serbe që të mbrojnë mandatet e tyre në seancë”, ka theksuar Petkoviq.

Ai përkujtoi se deputetët e Listës Serbe janë zgjedhur me votën e popullit serb, i cili i ka dhënë mandate dhe legjitimitet, prandaj Kurti nuk mund t’ua heqë mandatet e as t’i ndalojë.

“Është e qartë se Kurti do të donte të shfuqizonte si listën serbe, ashtu edhe popullin serb në Kosovë për të përfunduar politikën e tij të Shqipërisë së madhe dhe të një krahine ku të mos ketë serbë, por nuk do të mund ta bëjë atë”, tha Petkoviq.