Mëngjesin e së enjtes, Gjykata Speciale ka arrestuar Fadil Fazliun, vëllain e dy heronjve të kombit, Fahri e Bahri Fazliu.
Djali i Fadil Fazliut, Fahri Fazliu, ka bërë të ditur se as sot nuk i është lejuar ta takojë babain.
Ai ka tentuar dy herë edhe dje që ta takojë babain e tij, por nuk është lejuar.
Ndërkaq, bashkë me Fadil Fazliun, nga Specialja dje është arrestuar edhe komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj dhe ish-drejtori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Bashkim Smakaj.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), të enjten ka konfirmuar se po kryen operacione në Kosovë.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.