Instituti Kombëtar i Shëndetësisë të Publike të Kosovës ka njoftuar se Laboratori i Mikrobiologjisë përmes metodës RT-PCR ka konfirmuar një rast të importuar të Mpox, i njohur më parë si Lia e majmunëve. Pacienti është një 30-vjeçar dhe Gjendja e tij është stabile, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Ky rast u konfirmua pasi i riu ishte kthyer nga një shtet i Afrikës Perëndimore dhe për shkak të simptomave të shfaqura, është trajtuar në Klinikën Infektive më 24 dhjetor.
Pas dyshimeve të ngritura, IKSHPK bëri të ditur se i ka gjurmuar të gjitha kontaktet e deklaruara të personit të infektuar dhe të familjarëve të tij, të cilëve u janë dhënë rekomandimet për masat e parandalimit dhe të kontrollit të infeksionit.
“Rasti i gjinisë mashkullore (30 vjeç), shtetas i Republikës së Kosovës, është spitalizuar në Klinikën Infektive/QKUK me datë 24.12.2024, pas kthimit nga një shtet i Afrikës Perëndimore, me simptoma si temperaturë, ethe, ndryshimet në lëkurë, në fytyrë, në duar dhe kruarje. Pacienti është në gjendje stabile shëndetësore.“
IKSHPK ka kërkuar kujdes nga qytetarët, “sepse personat që preken nga Mpox zakonisht përjetojnë simptoma të lehta apo mesatare që zgjasin dy deri në katër javë, dhe shërohen plotësisht.”
“Edhe pse duhet vigjilencë, nuk ka vend për panik.”
Lia e majmunëve është zbuluar për herë të parë në majmunë, në vitin 1958, në Afrikë. Rasti i parë në njeri është regjistruar në vitin 1970 në Republikën Demokratike të Kongos.