Ditët e fundit kanë qarkulluar lajme që Kosovare Murseli do të aderojë në VV.

Me anë të një postimi në facebook, ajo e ka mohuar këtë gjë.

Më poshtë postimi i saj:

Të nderuar qytetarë të vendit tonë, të dashur votues,

Dua të shpreh falënderimin e sinqertë për secilin prej jush për besimin e dhënë! Ky besim më obligon edhe më shumë që të jem në shërbimin tuaj. Vendlindja ime, rajoni im, e gjithë Kosova dhe Diaspora e dashur, me votën tuaj për mua, kanë votuar vendosmërinë time për të realizuar idealin e babait tim, idealin e qindra e mijëra dëshmorëve e martirëve. Ky ideal, edhe sot, është mbrojtur nga liderët e dikurshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një ushtri që ka shkruar historinë më të lavdishme, të cilët po mbrojnë të drejtat e popullit tonë për liri dhe dinjitet, edhe në gjykatën më të padrejtë të botës.

E gjithë kjo përbën amanetin që kam për idealin e atyre që dhanë gjithçka për atdheun, si babai im, veteranët, invalidët e UÇK-së dhe liderët e partisë sime! Liderët që çliruan dhe e bënë shtet Kosovën, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli!

Andaj, ju garantoj që do të jem në shërbimin tuaj të përjetshëm, siç kam qenë gjithmonë në kauzën për idealin e përbashkët, ideal që përfaqësohet më së miri në partinë shtetndërtuese, në partinë e çlirimtarëve, në partinë integruese, Partinë Demokratike të Kosovës!

E juaja, përherë,
Kosovare Murseli