Screenshot

Friedrich Merz pritet të bëhet kancelari më amerikan i Gjermanisë.

Asnjëherë në histori një shef i qeverisë gjermane nuk ka pasur më shumë afinitet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan gazeta prestigjioze amerikane ‘Politico’.

Merz ka udhëtuar në SHBA mbi 100 herë, sipas të dhënave të tij, dhe e sheh ish-presidentin amerikan Ronald Reagan si një nga idhujt e tij.

Merz, aleanca konservatore e të cilit i ka fituar zgjedhjet e së dielës me 29 për qind të votave, i pëlqen veçanërisht një fjali e Reganit që përmbledh skepticizmin e stilit amerikan të liderit gjerman për ndërhyrjen e shtetit: “Nëntë fjalët më të tmerrshme të gjuhës angleze janë: ‘Jam nga qeveria dhe kam ardhur për t’iu ndihmuar’”.

Por gjersa Merz veç është gati të marrë pushtetin në Gjermani, Amerika e tij e dashur është kthyer nga një aleat i pazëvendësueshëm në një armik, shkruan ‘Politico’.

Merz dhe liderë e tjerë evropianë gjithnjë e më shumë po e shohin SHBA-në jo më si një fener – atë “qytetin ndirçues mbi kodër”, siç i pëlqente ta quante Regani – por më tepër si një tjetër forcë që bashkohet me Rusinë dhe Kinën për t’i hequr qafe demokracitë e tyre gjithnjë e më të brishta.

“Kemi të bëjmë me një ndryshim të një epoke”, tha Merz në skenë në Konferencës së Sigurisë të Mynihut në fillim të këtij muaji pasi zëvendëspresidenti i SHBA-ve, JD Vance mbajti një fjalim që i cilësoi partitë centriste të Evropës – jo Rusinë apo Kinën – si kërcënimin më të madh për sigurinë evropiane. “Nëse nuk e dëgjojmë thirrjen e zgjimit tash”, shtoi Merz, “mund të jetë tepër vonë për të gjithë Bashkimin Evropian”.

Paraqitja e Vance në Mynih ka të ngjarë të hyjë në historinë evropiane si një ndryshim epokal po aq i rëndësishëm sa fjalimi i Vladimir Putinit në vitin 2007 në të njëjtën konferencë, kur presidenti rus në fakt i shpalli luftë rendit liberal të udhëhequr nga SHBA. Tani, është vetë administrata e SHBA-së që po i kthen shpinën këtij rendi.

Udhëheqësit gjermanë, duke përfshirë edhe Merzin, kanë qenë veçanërisht të ngadaltë për pranimin e realitetit të ri, duke deklaruar deri vonë se aleanca transatlantike do të qëndrojë pavarësisht sinjaleve të qarta nga administrata Trump se do të ndalojë ndihmën ushtarake për Ukrainën, do të vendos në dyshim angazhimin e SHBA për të mbrojtur Evropën dhe për të forcuar forcat e ekstremit të djathtë, miqësore me Kremlinin.

Për Merzin, një transatlanticist i njohur, vështirë se mund të kishte një zgjim më të vrazhdë nga gjumi. Pyetja që do të përcaktojë mandatin e tij do të jetë nëse ai mund të udhëheqë Gjermaninë dhe Evropën në mbrojtjen e rendit liberal të brishtë pa SHBA-në – ose nëse, siç tha Merz në Mynih, tashmë është pothuajse tepër vonë.

Ngritja dhe rënia e Merzit dhe ringritja përsëri

Kjo padyshim nuk ka qenë mënyra se si Merz e kishte imagjinuar momentin e tij të shumëkërkuar të triumfit.

I lindur një dekadë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Sauerland, një rajon malor, rural i Gjermanisë Perëndimore, Merz ishte, sipas llogarisë së tij, një student më pak se spektakolar dhe një duhanpirës, shkaktar i problemeve disiplinore.

Pavarësisht nga e kaluara rebele, ai u ndikua nga kultura konservatore e ngulitur thellë në zonën prej nga vinte dhe iu bashkua Unionit Kristian Demokrat të qendrës së djathtë derisa ishte ende në shkollë të mesme. Pasi shërbeu një periudhë të shkurtër në ushtri, Merz shkoi në universitet në Bon, atëherë kryeqyteti i Gjermanisë Perëndimore, ku studioi drejtësi.

Merz u bë anëtar i Parlamentit Evropian në vitin 1989 duke përfaqësuar CDU-në. Pesë vjet më vonë ai u zgjodh në Bundestagun Gjerman, ku zhvilloi marrëdhënie të ngushtë me Wolfgang Schauble, një mbrojtës i fortë i CDU-së dhe avokat i fuqishëm i integrimit në Bashkimin Evropian. Nën tutelën e Schauble, Merzi u ngrit si figurë brenda partisë dhe u konsiderua si kreu i ardhshëm i CDU-së.

Rritja e tij megjithatë mori fund në vitin 2002, kur humbi betejën për pushtetin brenda partisë me Angela Merkelin më të qendrës.

Duke mos parë asnjë rol për veten e tij në CDU-në nën drejtimin e Merkelit, Merz u tërhoq nga vendimmarrja dhe në mes të krizës financiare botërore të vitit 2008 botoi një poemë për tregjet e lira të titulluar “Guxoni për më shumë kapitalizëm”.

Një vit më vonë ai u largua nga Bundestagu për të punuar si avokat në një korporatë, derisa mori gjithashtu drejtimin e Atlantik-Brücke, një lobi që mbron lidhjet transatlantike.

Me Atlantik-Brücke, Merz avokoi për marrëveshje tregtare BE-SHBA dhe krijoi lidhje më të ngushta me SHBA-në, duke u lidhur me politikanët amerikanë dhe udhëheqësit e korporatave. Një nga vendet e tij të preferuara në SHBA, i tha ai biografit Volker Resing, është Biblioteka Presidenciale “Ronald Reagan” në Simi Valley, Kaliforni, ku është varrosur ish-presidenti.

Mbi një dekadë në sektorin privat, Merz punoi në disa borde korporatesh gjermane, duke përfshirë një stazh katërvjeçar me kompaninë amerikane BlackRock. Merz thotë se kjo i dha atij përvojë të vlefshme jashtë politikës, por kritikët e akuzojnë atë se thjesht përdori lidhjet e tij politike për të lobuar për interesa të fuqishme, duke e bërë veten milioner në këtë proces.

Kur Merkel dha dorëheqjen si kryetare e CDU-së në 2018, Merzi pa t’i hapej mundësia për rikthimin në politikë. Politikat bujare të Merkelit për refugjatët, besonte Merz, kishin larguar elektoratin e krahut të djathtë të CDU-së dhe i kishin dhënë mundësi ngritjes së hovshme të partisë së ekstremit të djathtë, AfD.

Merzi u përpoq të zhbënte shumë nga trashëgimia e Merkelit dhe synoi ta tërhiqte CDU-në ashpër në të djathtë. Partia, në kërkim të rishpikjes pas 16 viteve të Merkelit dhe një humbje në zgjedhje ndaj Partisë Social Demokratike (SPD) të Olaf Scholzit në 2021, e zgjodhi atë kryetar në fillim të vitit 2022. “Jam thellësisht i prekur,” tha Merz pas votimit, duke i luftuar lotët.

Rrezikues apo populist?

Megjithëse Merz dhe konservatorët e tij dolën fitues në zgjedhjet e së dielës, sondazhet sugjerojnë se ai nuk është edhe aq i popullarizuar në mesin e publikut.

Në një vend që mbetet thellësisht skeptik ndaj industrisë financiare, pasuria dhe koha e kaluar e Merzit në BlackRock, kompaninë investuese amerikane, shihen shpesh me dyshim. Nuk ka rëndësi fakti që ai udhëton në mënyrë rutinore në të gjithë vendin me aeroplanin e tij dy-motorësh, me të cilin fluturon edhe vetë, pasi ka përmbushur një ëndërr jetësore të marrjes së patentës së pilotit.

“Friedrich Merz nuk është edhe shumë i dashur, por është i respektuar”, i tha POLITICO-s, Gunther Oettinger, një ish politikan i nivelit të lartë të CDU-së, në fund të vitit të kaluar.

Megjithatë, Merz ka gjithashtu një reputacion prej impulsivi dhe i prirur ndaj rrëmujës populiste, veçanërisht kur bëhet fjalë për temën e imigrantëve. Mbrojtësit e tij thonë se ai është thjesht një tip rrezikuesi – një tipar që e ka marrë nga vitet e tij në sektorin privat – dhe dikush që nuk i shmanget debatit të mprehtë.

Merz rrezikoi fort pak para zgjedhjeve. Pas një sërë sulmesh për të cilat u fajësuan azilkërkuesit në muajt para zgjedhjeve, Merz i pa konservatorët e tij të binin vazhdimisht në sondazhe ndërsa AfD-ja ngritej. Në janar, pasi një afgan sulmoi me thikë një grup fëmijësh parashkollorë në një park në Bavari, duke vrarë një fëmijë dhe një burrë që u përpoq të mbronte fëmijët, Merz vendosi se ishte koha për një ndryshim drastik.

Në një lëvizje të papritur, ai dhe konservatorët e tij u rreshtuan me AfD-në në përpjekje për të marrë masa të ashpra imigracioni përmes parlamentit – përfshirë një propozim për të refuzuar azilkërkuesit në kufi.

Në përgjigje ndaj aleancës së Mezit me AfD-në, dhjetëra mijëra demonstrues dolën në qytete në të gjithë vendin. “Merz-it nuk mund t’i besohet më”, tha kancelari në largim Scholz, partia e të cilit doli e treta në zgjedhjet e së dielës.

Robert Habeck, kandidati për kancelar i të Gjelbërve, e quajti lëvizjen e Merzit “një skualifikim” për zyrën e kancelarit.

Por votuesit, të cilët ishin gjerësisht mbështetës të politikave të tij të ashpra të migracionit, përfundimisht nuk u pajtuan me këtë, duke e ngritur Merzin në pushtet.