Kandidati i LDK-së, Avdullah Hoti, nuk është shprehur i kënaqur me rezultatin që LDK-ja e k arritur në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ai ka bërë me dije se rezultati nuk është as i përafërt me atë që kanë shprehur ai dhe strukturat e LDK-së.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hoti ka kritikuar ashpër lidershipin aktual të LDK-së.
Ai ka vlerësuar se LDK-ja ka nevojë për lidership të ri.
“LDK-ja ka nevojë për një lidership me qasje ekipore, që është gjithëpërfshirës, me orientime të qarta politike të qendrës së djathtë, që mbledh rreth vetes profesionistë dhe e rikthen LDK-në në epiqendrën e profesionistëve më të mirë të Kosovës, siç ka qenë LDK-ja. LDK-ja ka nevojë për një lidership që punon me transparencë të plotë karshi strukturave partiake në të gjitha nivelet, që e kthen partinë në funksionimin statutar, që merr vendime kolegjiale në bazë të statutit të LDK-së (që është kushtetuta e partisë) dhe në konsultim të gjerë me strukturat qendrore dhe lokale të partisë”, ka shkruar ai, duke treguar se cfarë lidershipi i duhet kësaj partie.
“LDK-ja ka nevojë për një lidership ekipor që i fashit përçarjet, që tregon kujdes ndaj të gjithë aktivistëve të rinj e të vjetër, që i bën bashkë të gjitha copat e LDK-së në të katër anët e vendit dhe në diasporë. Një lidership i tillë është thelbësor për bashkimin, fuqizimin dhe kthimin e LDK-së në parimet e saj bazë, si parakusht për të rifituar besimin e qytetarëve për të udhëhequr me Kosovën. Besoj fuqishëm se i gjithë lidershipi aktual i LDK-së duhet të mbështesë këtë ndryshim në LDK, duke i hapur rrugë ndryshimit, duke u bërë pjesë e lidershipit të ri. I bëj thirrje lidershipit aktual të mbështesë këtë ndryshim për interesin e LDK-së dhe të Kosovës. Të gjithë në LDK jemi të vetëdijshëm se vetëm së bashku mund ta rikthejmë besimin e madh të qytetarëve tek LDK-ja”, ka shkruar Hoti.