Kosovo's Prime Minister Albin Kurti, center, waits prior to a meeting with European Union foreign policy chief Josep Borrell in Brussels, Monday, Feb. 27, 2023. The leaders of Serbia and Kosovo are holding talks Monday on European Union proposals aimed at ending a long series of political crises and setting the two on the path to better relations and ultimately mutual recognition. (AP Photo/Virginia Mayo)

Deputetja e re e PDK-së, Kosovare Murseli, është shfaqur pranë kryeministrit Albin Kurti gjatë homazheve në Kaçanik për 26-vjetorin e rënies së 28 dëshmorëve dhe 32 martirëve të luftës.

Kjo ka nxitur spekulime dhe zëra që sugjerojnë mundësinë e kalimit të Murselit në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), duke e bërë atë pjesë të mbështetjes për formimin e Qeverisë Kurti 3.

Liderët e LVV-së kanë theksuar se, është e pamundur që kjo parti të formojë një qeveri pa krijuar një koalicion me parti të tjera, duke pasur parasysh që mbështetja vetëm nga komunitetet jo-shumicë nuk është e mjaftueshme për të arritur shumicën e nevojshme parlamentare.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka bërë të qartë se formimi i qeverisë nga LVV-ja kërkon një koalicion të gjerë, që mund të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash.

“Te qeveria, është e pamundshme pa u themelu një koalicon i cili e krijon mazhorancën e aftë për me zgjedh me 61 vota qeverinë e re”.

Këtë deklaratë e dha Konjufca të martën, pas takimit me përfaqësuesit e partive politike.

Nga ana tjetër, deputetja Mimoza Kusari-Lila ka shpjeguar se për dallim nga periudhat e kaluara, mbështetja nga komunitetet jo-shumicë tashmë nuk është e mjaftueshme për të arritur shumicën e nevojshme.

Ajo ka nënvizuar se, edhe pse bashkëpunimi me këto grupe ka qenë i rëndësishëm, numrat aktualë nuk mundësojnë formimin e qeverisë pa një koalicion të mëtejshëm.

“Nuk është më e lehtë, është pak më e vështirë, qysh e kemi pa – numrat e tregojnë që vetëm me komunitetet joshumicë, si herën e kalume, nuk ka me qenë e mjaftueshme ose nuk është e mundshme të arrihet numri 61 i minimumit që duhet për një Qeveri të votohet. Prandaj kjo është tashmë një punë e cila ka me vazhdu procesin dhe e cila ka me shty përpara gjithsesi diskutim të mëtutjeshëm mbi formën e mënyrën e arritjes së këtij numri”, deklaroi Kusari-Lila.

Çdo zhvillim i mundshëm rreth deputetes Murseli mbetet pa një konfirmim të qartë deri më tani.

Gjithçka do të varet nga negociatat dhe proceset politike që do të zhvillohen në ditët në vijim.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti kishte ftuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për takim konsultues, në përpjekje për të formuar qeverinë.

Por në përgjigje, Abdixhiku ka thënë se gjuha e LVV-së karshi LDK-së ka pamundësuar bashkëpunimin e mundshëm në mes të këtyre dy taborëve politikë, për formimin e Qeverisë së re.

Në reagimin e tij, Abdixhiku ka bërë të ditur se ka refuzuar ftesën e Kurtit për shkak të zotimeve të bëra ndaj elektoratit gjatë fushatës dhe pas certifikimit të rezultateve.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja mori 48 deputetë – jo mjaftueshëm për të qeverisur e vetme.