Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka bërë të ditur se nuk do ta bllokojë procesin e konstituimit të Kuvendit, duke bërë të qartë se ai do të votojë ‘PRO’ Qeverisë Kurti.
Berisha, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se mbështetja e tij nuk është nënshtrim, por qëndrim i pjekur politik.
Sipas tij, populli i ka zgjedhur përfaqësuesit e tyre (deputetët) për të gjetur zgjidhje, e jo për tu marrë me debate.
“Jam i gatshëm ta votoj për të mirën e Kosovës, komunitetit tim Egjiptian dhe të gjithë qytetarët pa dallim! Nuk jam për bllokimin e proceseve që i shërbejnë qytetarëve, stabilitetit të vendit dhe zhvillimit institucional. Mbështetja ime nuk është NËNSHTRIM, nuk është heshtje përballë mangësive! Është qëndrim i pjekur politik që i vë interesat e qytetarëve mbi kalkulimet e ngushta të partive. Kemi nevojë për një klimë bashkëpunimi, jo për një kulturë përçarjeje. Për hapa përpara, jo për rrënim të njëri-tjetrit. Prandaj sot PYES PUBLIKISHT juve : A është më me rëndësi të qëndrojmë të ngujuar në luftë politike, apo të veprojmë me mendje shtetformuese, duke mbështetur çdo hap që e çon Kosovën drejt një të ardhmeje më të mirë? Sepse në fund të fundit, nuk jemi zgjedhur për të fituar debate, por për të sjellë zgjidhje. I mirëpresim mendimet tuaja e që janë shumë të vlefshme për ne!”, thuhet në postimin e Berishës në Facebook.
Berisha nuk kishte marrë fare pjesë në seancën e 15 prillit, ku konstituimi i Kuvendit kishte dështuar për shkak se 52 votat nuk ishin të mjaftueshme.
Të shtunën, Kurti pritet që të ketë një votë më tepër, por akoma nuk dihet nëse do t’i ketë votat e mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit.