Janë bërë nëntë vjet prej kur banorët e 6 fshatrave të Podujevës kishin mbledhur para për realizimin e projektit të ujësjellësit nga burimi (Vrella) e fshatit Revuçë.

Më shumë se 100 mijë eurot e mbledhura prej vitit 2006 janë duke qëndruar të Thesarin e shtetit, ndërsa banorët e Metehisë, Zakutit, Dobërdolit, Kërpimehut, Pakashticës së Epërme dhe Pakashticës së Poshtme vazhdojnë të mos kenë rrjet të ujësjellësit.

Shkak i ndërprerjes së punimeve që kishin nisur në vitin 2006, ishin bërë banorët e fshatit Revuçë, të cilët nuk kishin lejuar që t’u merrej uji nga burimi. Sipas tyre, burimi nuk kishte ujë të mjaftueshëm për të gjitha këto fshatra. Dhe nga atëherë, asgjë nuk ka lëvizur.

Zyrtarët e partisë opozitare, po e shohin këtë si dështim të qeverisjes komunale, e cila për këta vjet nuk ka arritur ta zgjidhte këtë problem. Shefi i GK të kësaj partie, Rafet Llapashtica, ka akuzuar komunarët se po i mbajnë të bllokuara mjetet e banorëve.
“Premtimet e kryetarit Agim Veliu në kohën e fushatës zgjedhore se do ta zgjidhte problemin me ujë të pijshëm në Komunën e Podujevës mbeti vetëm premtim elektoral.

Qeverisja Veliu nuk ka pasur, por po tregohet se edhe nuk ka aftësi menaxheriale që të bëjë më të voglin send, sendin më elementar në të mirë të qytetarëve të Podujevës, zgjidhjen e problemit të ujit, që për të në vitin që jetojmë viti 2015 të kesh problem me ujë të pijshëm nuk është problem i vogël”, ka thënë Llapashtica. (Më gjerësisht lexoni sot në Koha Ditore).