Për dy javë rresht rreth 2.000 nxënës të shtatë shkollave të qytetit të Podujevës kanë pasur mundësi të dëgjojnë ligjerata vetëdijesuese nga zyrtarët e Stacionit Policor të Podujevës.

Këto ligjerata sipas komandantit të Stacionit Policor të Podujevës, Bekim Bislimi, kanë ardhur si rezultat i bashkëpunimit me drejtorinë e arsimit në Podujevë dhe drejtorët e shkollave.

Ai ka bërë të ditur për Llapi.info temat të cilat janë ligjeruar për dy javë rresht.

“Ligjeratat janë mbajtur në shtatë shkolla të qytetit të Podujevës, tri të mesme dhe katër shkolla fillore. Për nxënësit e klasës 1 – 5 është ligjeruar tema “Siguria në rrugë”, për nxënësit e klasës së 6 – 9, “Dhuna në familje” dhe për nxënësit e klasës 10 – 13, “Përdorimi i drogës” me moton “Droga është zero, jeta është një” dhe tema “Trafikimi i qenieve njerëzore”. Ligjeratat janë pritur shumë mirë nga nxënësit”, ka thënë Bislimi.

Ai ka treguar se projekti do të vazhdojë edhe në fazën e dytë, ku do të përfshihen shkolla të tjera. Ndërsa, qëllimi i këtyre ligjeratave sipas Bislimit ka qenë parandalimi i këtyre dukurive.

“Qëllimi i këtyre ligjeratave ka qenë preventiva e këtyre dukurive. Në këtë projekt një zyrtare nga SHBA-ja, përkatësisht nga ICITAR ka shprehur gatishmërinë për të na mbështetur, duke marrë pjesë në ligjerimin e temës “Dhuna në familje”. Sajpërketë këtyre dukurive, Podujeva qëndron mirë”, ka shtuar Bislimi.

Ndërsa, Fadil Babatinca, zyrtar për komitet në stacionin policor në Podujevë, i cili ka qenë edhe ligjerues së bashku me dy zyrtar tjerë nga policia e Podujevës, ka thënë për Llapi.info se interesimi i nxënësve për këto tema ka qenë i jashtëzakonshëm.

“Interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm. Këto ligjerata janë kërkuar edhe nga nxënësit edhe nga drejtoria e arsimit, e cila ka kërkuar që të vazhdohet me këto ligjerata. Duke e kuptuar moshën e nxënësve këto ligjerata janë më se të nevojshme”, ka thënë Babatinca për Llapi.info, duke potencuar që këto dukuri në Podujevë janë të vogla krahasuar me qytetet e tjera të Kosovës.

Ligjerata të këtilla Policia e Stacionit të Podujevës ka mbajtur çdo vit./Llapi.info

IMG_3849

IMG_3776

IMG_3781

IMG_3798

IMG_3801

IMG_3833

IMG_3838

IMG_3840