Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu i ka konsideruar të shëmtuara veprimet e mbrëmshme opozitës ku u demoluan veturat shtetërore u sulmuan institucionet dhe Policia. Veliu ka shprehur shqetësimin se këto pamje janë duke përçuar mesazh të keq te miqtë ndërkombëtarë.

Veliu ka thënë për Indeksonline se deputetët e kanë vendin në Kuvend të Kosovës të japin argumente dhe jo të dalin në rrugë dhe ta shkatërrojnë të ardhmen e Kosovës.

“Qeveria është duke bërë përpjekje që Kosovën ta integrojë në mekanizma ndërkombëtar, ta bëj liberalizimin e vizave dhe ta përmirësojë jetën e qytetarëve. Ndërsa një grusht deputetësh provojnë të shkaktojnë trazira dhe ta djegin Kosovën në emër të popullit, mirëpo këta nuk e kanë përkrahjen e popullit. E tregon vota e tyre sa e kanë legjitimitetin e popullit”, ka thënë Veliu.

“Kjo opozitë është duke na prishur edhe me miqtë tanë që kontribuuan për ndërtimin e këtij shtetit. Veprimet e tyre janë kundër SHBA-ve, Gjermanisë, Anglisë dhe kundër të ardhmes së gjeneratave”.
Veliu iu ka bërë thirrje organeve të rendit që ta kryejnë punën e vetë për çka e kanë mandatin.

“Organet e rendit ta kryejnë punën e vet për çka janë të thirrura, S’ka pardon ndaj ligjit. Ajo që u pa mbrëmë është shëmti dhe është sjellje jashtë çdo norme demokratike”, ka theksuar Veliu.

I pari i Podujevës sjelljet e opozitës i ka quajtur veprime terrori ndaj institucioneve dhe ndaj shtetit.

“Lufta për pushtet nuk bëhet në këtë mënyrë, kjo është terrorizëm ndaj institucioneve. Përdorimi i koktej të molotovit ndaj Policisë së Shtetit është akt terrori. Fundja këta janë një grusht militantësh, që numërohen në gishta që i lidh farefisi dhe po kërkojnë të vijnë në pushtet përmes dhunës”.

Veliu ka thënë se është çmenduri të merret ligji në dorë nga disa anarkist që nxjerrin zyrtar shtetëror nga vetura dhe i demolojnë, duke iu referuar sekretarit të VV-së, ku mbrëmë demoloi veturën e këshilltarit të Krasniqit, Shasiv Haxhija.

“Nuk ka tjetër term përvec çmenduri, kur dikush e merr ligjin në dorë dhe legjitimon zyrtarët e institucioneve dhe i sulmon. Nuk mund t’i cilësosh ndryshe, përveç si veprime të çmendura, ku thyhen veturat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë”.

Veliu i ka ftuar deputetët që të shkojnë në Parlament që të diskutojnë dhe jo në rrugë duke përdorur armë dhe mjete të jashtëligjshme.

“Vota që e ka dhënë qytetari është ajo që përfaqëson dhe Kuvendi është vendi ku diskutohet në vendet demokratike. Ky grusht deputetësh duhet të shkojnë në Kuvend të diskutojnë dhe t’i ndalin veprimet ekstreme ndaj institucioneve dhe shtetit”, ka thënë Veliu për Indeksonline, përcjell Llapi.info.