Bashkëatdhetarët shqiptar që jetojnë në Londër, përfshirë këtu edhe bashkëatdhetarët llapjanë kanë ndihmuar Shoqatën e të Verbërve në Kosovë. Ata kanë siguruar pajisje sportive për këta të fundit, njofton Llapi.info.

Zenel Maloku, nga fshati Orllan i Podujevës që jeton në Londër, ka treguar për Llapi.info se këto ndihma janë siguruar nga organizimi i shqiptarëve që jetojnë në Londër.

“Shqiptarët në Londër janë organizuar në mënyrë vullnetare që të mbledhin ndihma dhe ta ndihmojnë Shoqatën e të Verbërve në Kosovë. Organizimi ka zgjatur një muaj dhe për një muaj kemi arritur të mbledhim rreth 8000 mijë euro, me të cilat kemi blerë pajisjet sportive”, ka thënë Maloku për Llapi.info.

Ai ka treguar se pajisjet sportive përfshijnë: syzet për të verbërit, topat me zile, gollat, qantat, etj.

Por, një pengesë e cila ju është shfaqur gjatë arritjes së këtyre ndihmave në Kosovë, ka qenë Dogana e Kosovës, e cila siç ka thënë Maloku, po i vanon me ditë të tëra pa nevojë mallrat në doganë, për shkak se sipas tij, të verbërit nuk ishin të liruar nga dogana dhe po shfaqen probleme të ndryshme. “E një gjë e tillë, po shfaq lodhje dhe demotivim tek iniciatorët për grumbullimin e këtyre ndihmave”, ka thënë Maloku.

Probleme të këtilla me doganë, Maloku thotë të kenë pasur edhe më parë, kur kanë ndërmarrë aktivitete për të ndihmuar Handikosin dhe një shkollë të Ferizajit.

Ndihmat të cilat janë grumbulluar për Shoqatën e të Verbërve në Kosovë do t’i shpërndajë HandiKos./Llapi.info