Kuvendi i Komunës së Podujevës ka miratuar raportin financiar për periudhën janar-shtator të vitit 2014. Shpenzimet që janë paraqitur në këtë raport për periudhën nëntë mujore, tregojnë një rritje prej 11 për qind.
Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, ka paraqitur raportin duke treguar kategoritë ku jan♪7 bërë shpenzimet.
“Shpenzimet e buxhetit për këtë periudhë kanë arritur shumën prej 12,261,356.00 euro. Për paga janë shpenzuar 8,425,578.00 euro, mallra dhe shërbime 629,817.00 euro, shpenzimet komunale 218,396. 00 euro, subvencione 401,773 euro dhe investime kapitale 2,585,792.00 euro. Këto shpenzime janë në kuadër të planifikimit për këtë periudhe. Nëse e bëjmë një krahasim të shpenzimeve të kësaj periudhe raportuese me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, del se kemi një rritje të shpenzimeve për 11.00%”, ka thënë Latifi.
Duke folur për arkëtimin e të hyrave vetjake për periudhën janar –shtator 2015, drejtori Latifi tha se janë arkëtuar 848,537 euro, ose 53% e planit vjetor. “Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014, kemi një zvogëlim të hyrash prej 7.51%”, ka shtuar Latifi, duke apeluar te qytetarët dhe bizneset që t’i kryejnë obligimet e tyre ligjore ndaj Komunës.
Lidhur me raportin financiar për periudhën janar – shtator, Fidan Rekaliu, këshilltar nga radhët e grupit të LDK-së, ka thënë se raporti është në përputhje me ligjin dhe pasqyron drejt pasqyrat financiare të komunës së Podujevës.
Nga ana tjetër, kritika për raportin financiar patën këshilltarët e opozitës.
Shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica bëri vërejtje për mjetet e shpenzuara nga të hyrat vetjake për paga, si dhe për shkallën e ulët të arkëtimit të tatimit në pronë. Ai gjithashtu potencoi shpenzimet për pagesën e detyrimeve në bazë të vendimeve gjyqësore.
Edhe shefi i grupit të këshilltarëve nga Lëvizja Vetëvendosje, Haki Rudari ka shprehur shqetësimin për rënien e shkallës së të hyrave vetjake, si dhe për mosrealizimin me kohë të projekteve kapitale. Lidhur me raportin financiar vërejtje patën edhe dy këshilltar tjerë të PDK-së, Flakron Gashi dhe Endritë Murati.