Zyrtarët komunal të Podujevës kanë paguar 36 mijë euro për rrënimin e objektit të shkollës fillore “Naim Frashëri”. Ata kanë zgjedhur ofertuesin më të shtrenjtë për 20 mijë euro, pasi ofertuesi më i lirë ishte 16 mijë euro.
Rafet Llapashtica, Shef i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal ka akuzuar komunën se ka zgjedhur ofertuesin më të shtrenjtë për 20 mijë euro për rrënimin e shkollës “Naim Frashëri”, pasi sipas tij, ofertuesi më i lirë ka kërkuar 16 mijë euro.
“E kem rastin e rrënimit të shkollës “Naim Frashëri”. 16 mijë euro oferta më e dobtë, 36 mijë ju ka dhanë. Kush është ai njeri që e eleminon ofertën më t’vogël, i hup 20 mijë euro me një nënshkrim. Me 36 mijë propozimi i kandidatës së Vetëvendosjes ish kthy në atë muzen që e ka pas edhe ish akomodu mrena. D.m.th. ofertën më të lirë drejtor e ke pas 16 mijë euro e ke dhanë 36 mijë”, ka thënë Llapashtica.
Arysen e zgjedhjes së ofertuesit për 20 mijë euro më shtrenjtë për Llapi.info e ka shpjeguar zyrtari i prokurimit në komunën e Podujevës, Ibrahim Hoxha. Sipas tij, oferta më e lirë nuk ka qenë e papërgjegjshëme.
“Oferta më e lirë s’ka qenë e përgjegjshme. Edhe ofertuesi më i lirë e ka pas të drejtën e ankesës për 10 ditë po nuk është ankue për arsye se e ka ditë që nuk është e përgjegjshme. Kompania “Vakal” është ajo e cila ka qenë e papërgjegjshme. “Vëllëzrit Sahiti” e kanë fitu tenderin, se ka qenë e përgjegjshme”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, kompania “Vakal” nuk i ka pasur referecat, kontratën e punës për inxhinierin e ndërtimtarisë, si dhe kjo kompani asnjëherë nuk i ka kryer punët më kohë.
“Asnjë projekt nuk e ka kry me kohë. Të gjitha projektet i ka vanu. Bile vitin e kaluar na kanë hup edhe mjetet për asfaltimin e rrugës në fshatin Lladofc se s’ka qenë e përgjegjshme”, ka thënë Hoxha.
Ai ka treguar se për rrënimin e shkollës kishin aplikuar pesë kompani. Kompania “Vakal” me ofertën prej 15.963 mijë euro, “Vëllëzrit Sahiti” 36 mijë, “Eing Com” 39 mijë, “Konstruktori” 39 mijë dhe “Bini” 34 mijë, e cila poashtu sipas Hoxhës ka qenë e papërgjegjshme.
Ndërsa, kur është pyetur drejtori i arsimit, Avni Maloku, për shumën prej 36 mijë euro për rrënimin e shkollës “Naim Frashëri”, ai është përgjigjur duke thënë se nuk është punë e tij kjo dhe se është çështje e prokurimit.
“E kta se di, se është e prokurimit. Na i kem pas telashet tona. Kta as që e kom marr parasysh as që du me ditë, masi so procedurë e jemja, ja paftë hajrin ai”, kishte thënë Maloku./Llapi.info