Shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, në mbledhjen e fundit të kuvendit komunal ka akuzuar drejtorinë e arsimit në Podujevë për mosrespektimin e vendimit të inspektoriatit të arsimit për kthimin në punë të Shukrije Zhitisë.

Ky vedim sipas Llapashtincës i është dorëzuar KK dhe drejtorisë së arsimit më datën 10 shkurt 2015, por që asnjëherë nuk kishte ardhur si dokument për shqyrtim as në komitet, as në kuvend komunal.

Ai ka thënë se Shukrije Zhitia është larguar politikisht nga vendi i punës.

“Unë dola se dashta me u shyqyrtu vendimi i inspektoriatit të arsimit rreth rastit të largimit politik të Shukrije Zhities nga vendi i punës. Unë mendoj që drejtori aktual ose ish-drejtori Rudari është dasht të merret me këtë vendim. Vendimi është dorzu me datë 10 shkurt 2015 dhe askush nuk është marrë më këtë”, ka thënë Llapashtica.

Rafet Llapashtica ka cituar vendimin, ku thuhej: Drejtoria komunale e arsimit në Podujevë menjëherë të angazhoj Shukrie Zhitien, mësimdhënëse e lëndës praktikë profesionale në shkollën Fan S. Noli. Me arsyetimin se inspektorët e arsimit bazohen në inspektimin special të realizuar me datë 03/12/2014 në drejtorinë komunale të arsimit në Podujevë, në shkollën e mesme Fan S. Noli kanë konstatuar se ndaj Shukrie Zhitisë është bërë shkelje.

“Në procesverbalin me nr.298/12 me datë 08/12/2014 inspektori ka rekomanduar drejtorinë komunale të arsimit në Podujevë që menjëherë ta anuloj vendimin për mësimdhënësen që e ka angazhue dhe ta angazhoj Shukrie Zhitinë në punë”, ka shtuar Llapashtica.

Ai ka kërkuar nga kryesuesi i kuvendit, Mehmet Gashi, që mbledhjen e ardhshme ky vendim të shqyrtohet në kuvend, në të kundërtën siç ka thënë ai, grupi i PDK-së do të ndjek format tjera legale.

Nga ana tjetër, kryesuesi i KK, Mehmet Gashi është përgjigjur duke thënë: “Unë nuk kam pas kurrfar shkrese edhe është çashtje e ekzekutivit me u marr me këtë”.

Lidhur me vendimin e inspektoriatit të arsimit për kthimin në punë të Shukrije Zhitisë, ka folur edhe drejtori i arsimit, Avni Maloku, i cili ka thënë se vendimi i inspektoriatit për qështjen e Shukrije Zhitisë është kundërshtu nga gjykata, sepse nuk mendojmë se është vendim i drejtë. “Andaj, kjo është çështje e gjykatës”, ka thënë Maloku./Llapi.info