Deputeti i PDK-së, Latif Gashi, të cilit para disa ditësh Gjykata e Apelit në Prishtinë ia konfirmoi një dënimin prej gjashtë vjetësh burgim, përmes një letre drejtuar kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka njoftuar lënien e mandatit.
Në letrën e tij ai shkruan:
I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës;
E nderuara Kryesi e Kuvendit të Republikës së Kosovës;
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës:
– Para disa ditësh Gjykata e Apelit e ka konfirmuar një dënim të padrejtë të një procesi gjyqësor që kishte nisur më 28 janar 2002. Në këto 14 vjet unë i kam vuajtur më shumë se 2/3 e dënimit. Unë kam të drejtë kushtetuese për lirim me kusht, meqë pjesën dërrmuese të dënimit unë e kam shlyer. Në dispozicion timin, gjithashtu, kam edhe mjete të tjera juridike, qoftë në kuadër të Gjykatës Supreme, ose edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Mirëpo, për hir të interesit të vendit tonë, për hir të proceseve politike nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës:
Unë, Latif Gashi, jap dorëheqje nga pozita e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Unë dëshiroj t’i falënderoj votuesit e mi, për besimin që ma dhanë, me votën e tyre, për të qenë deputet në Kuvendin e Kosovës në dy mandate. Unë do të vazhdoj të jam pranë elektoratit tim, edhe pasi të largohem formalisht prej sallës së Kuvendit të Kosovës.
Besimi që kishin qytetarët në mua ka më shumë vlerë se sa proceset e montuara gjyqësore. Për këtë arsye, i siguroj qytetarët, votuesit e mi, që pa marrë parasysh se ku do të gjendem fizikisht, do të jap kontributin tim, unë do të jam pranë tyre. Do të punoj për ta dhe do të angazhohem për ta.
Pa marrë parasysh këtë episod të pakëndshëm, unë do të vazhdoj të jam i përgjegjshëm edhe ndaj institucioneve të vendit tim. Do t’i respektoj vendimet e tyre, më pëlqyen ose jo mua.
Gjaku i dëshmorëve, i derdhur për ketë vend, gjymtyrët e humbura të invalidëve të luftës, lufta e veteranëve, sakrifica e qytetarëve, do të janë busulla ime jetësore.
Do të jem mirënjohës dhe falënderues ndihmës së madhe të aleatëve tanë, SHBA-ve, Gjermanisë, Francës, Anglisë dhe gjithë atyre që na ndihmuan në përpjekjen tonë për të pasur këtë shtet, që tash e kemi.
Me respekt,
Latif Gashi, – përfundon letra.