Deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa – Remi, ka njoftuar se ka dorëzuar mandatin e deputetit, pak orë pasi edhe kolegu i tij partiak, Latif Gashi – Lata, mori vendim të njëjtë.

Remi, konfirmimin për dorëzim të mandatit e ka bërë përmes faqes së tij në Facebook, duke thënë se ndjen obligim zyrtar për veprimin e marrë.

Ai këtë e ka bërë pasi Gjykata e Apelit ka konfirmuar dënimin e shkallës së parë, ku ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Llapit është dënuar me 4 vjet burg për krime lufte.

Në vijim postimi i tij i plotë:

Normalizimi i shtetit – s’ka alternativë.

Duhet të mundohemi fortë për të ndërtuar kulturë tek qytetarët që kujdesin ndaj shefit(individit), ta shëndrrojmë në kulturë kujdesi ndaj shtetit.

Zyrtarët e shtetit, jo vetëm që duhet, por edhe kanë obligim kushtetues të jenë besnik të ligjeve dhe interesave shtetërore.

Akoma ka mbetur pengë kujdesi i dëshirave individuale karshi zhvillimeve sistematike institucionale.

Na duhet besim në institucione tona, dhe politikat që mundë ti ndërtojmë.

PS…Unë respektoj vendimet institucionale gjygjësore, e kam deklaruar se na duhet ndjeshmeri ndaj rendit, ligjit shumë herë.

Sot ndjeva obligimin zyrtar dhe e dorzova mandatin e deputetit.

Unë besoj në Shtetin tonë…