Pranimi i mësimdhënësit të historisë në shkollën fillore “Nuhi Gashi” në Bradash nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Podujevë sipas udhëzimit të vitit 2009 paraqet shkelje të ligjit. Këtë gjë e ka vërtetuar Inspektori i Arsimit në përgjigjen që i ka kthyer Fatbardha Hotit, e cila sipas udhëzimit administrativ të vitit 2015 meritonte pozitën e arsimtares së historisë në këtë shkollë.
Në dokumentin që ka siguruar portali Llapi.info shihet se Inspektori i Arsimit i ka dhënë të drejtë Fatbardha Hotit dhe ka kërkuar nga DKA në Podujevë që brenda 8 ditësh ta rishqyrtoj konkursin për vendin e punës për mësimdhënës të lëndës së historisë. Një gjë të tillë nuk e ka bërë drejtoria e arsimit.
Flakron Gashi, këshilltar në KK nga rradhët e PDK-së, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komuanl ka thënë se drejtoria duhet të jap një sqarim konkret për këtë, pasi rasti i Fatbardha Hotit nuk është i vetmi.
“Nuk është rasti i vetëm i Shukrije Zhitisë që inspektoriati i arsimit i’a njeh të drejtën e punësimit. Kjo ka ndodh edhe me Fatbardha Hotin, në shkollën fillore “Nuhi Gashi” në Bradash. Do të ishte e udhës që në një seancë të ardhshme të ketë një pikë të rendit të veçantë dhe t’i ballafaqojmë të gjitha argumentet pro ose kundër dhe drejtoria të jap një sqarim konkret për këtë”, ka thënë Gashi.
Ndërsa, Fatbardha Hoti, ka treguar për Llapi.info përgjigjen që ka marrë nga drejtori i arsimit, Avni Maloku, pas përgjigjes pozitive që ka marrë nga Inspektori i Arsimit.
Sipas saj, Maloku nuk ka pranuar të ketë marrë ndonjë letër nga ministria, letër kjo e cila i është dërguar kohë më parë atij, dhe se ky i fundit ka thënë që ka përfunduar puna e konkursit.
“Sipas Malokut, unë duhet me prit 10 vjet deri t’i rahaton ata që kanë diplomuar më herët pa marrë parasysh se cilin fakultet e kanë përfundu. Pa fakultet përkatës ai ka të drejtë me i punësu. Ai nuk po hap konkurs se po thotë që ajo punë u kry. Por, për hapjen e konkursit ai ka marrë urdhër nga Ministria e Arsimit”, ka thënë Hoti.
Llapi.info pati raportuar për rastin e Fatbardha Hotit dhe pranimit të Mirsad Rashitit në vend të kësaj të fundit, i cili ishte pranuar sipas udhëzimit administrativ të vitit 2009.
Atë kohë drejtori i arsimit, Avni Maloku, pati thënë që Mirsad Rashitin e ka pranuar sipas udhëzimit të vitit 2009, pasi udhëzimi administrativ i vitit 2015 është politik./Llapi.info