Adelina Stublla, këshilltare e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Podujevës, në mbledhjen e fundit të KK ka akuzuar zyrtarët komunal për moskujdesin ndaj familjeve në Lagjën e Dëshmorëve në Podujevë.
Ajo ka thënë se prej gjashtë muajsh, kur këto familje kanë hyrë në shtëpi të reja nuk janë vizituar nga zyrtarët komunal, ndonëse këto familje po ballafaqohen me probleme të shumta.
“Ne grupi i këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje kemi bërë një vizitë ku kemi biseduar me kryefamiljarët e shtëpive të sapondërtuara dhe ato familje prej gjashtë muajsh kur janë vendosur në shtëpi të reja nuk janë vizituar nga autoritetet komunale. Këto familje kishin kërkesa të shumta, duke filluar nga dalja e ujërave të zeza në sipërfaqe, ku kundërmonte një erë e rëndë dhe ishte pengesë për hapjen e dritareve, dëmitimi i pusetës afër shtëpive, gjë që rrezikonte nxënësit për të shkuar në shkollë dhe banorët përrreth, rrjedhja e ujërave nga shiu në oxhakët e shtëpive brenda në dhomë, si dhe disa probleme tjera lidhur me energjinë elektrike dhe mungesën e ujit. Kjo gjë duhet të bëhet një e mirë për këta banorë”, ka thënë Stublla.
Por, Avni Ajeti, këshilltar në KK nga rradhët e LDK-së, nuk ka pranuar akuzat e Stubllës, duke thënë se ato që i tha Adelina nuk qëndrojnë.
“Ato qa i tha Adelina nuk qëndrojnë. Ne kemi qenë disa herë i kemi vizituar ato familje dhe nuk na janë deklaruar ato qa i tha Adelina./Llapi.info