Shkolla “ Enver Maloku” prej disa vjetësh që nuk është rinovuar. Zyrtarët komunalë janë në pritje të përfundimit të objektit të ri, që po financohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Ndërkohë, nxënësit e mësimdhënësit e shkollës “Enver Maloku” janë duke mësuar e punuar në kushte të rënda.
Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të kësaj shkolle, Xhavit Dema, aty janë dëmtuar muret, dyshemetë, kanalizimi, dyert e dritaret, oxhakët, etj.
“Është kanalizimi i prishur, është inventari i vjetër e i dëmtuar, pastaj janë dëmtuar dritaret e dyert. Oxhakët e vjetër, duhet çdo muaj nga dy herë me i pastrua se nuk janë në rregull, stufat e vjetra. E dimë që lokali, ambienti e luan rolin edhe te nxënësit. Kur nxënësi nuk e ka ambientin në shkollë, nuk e ka ambientin para shkolle, aty dihet se ndikon edhe në mësimnxënie”, thotë Xhavit Dema.
U.d. i drejtorit të shkollës “Enver Maloku”, thotë se kur do të përfundon objekti aty afër që është duke e ndërtuar MASHT-i, Gjimnazi “Aleksandër Xhuvani” do të vjen në shkollën e re, ndërsa “Enver Maloku” do të shkojë në objektin e Gjimnazit, ku tash është duke funksionuar.
Edhe drejtori i Arsimit, Avni Maloku, ka thënë se e di që në atë shkollë kushtet e mësimit janë të rënda, por se janë duke pritur që MASHT-i ta përfundojë objektin e ri e pastaj Gjimnazi do të sistemohet aty dhe shkolla “Enver Maloku” në objektin ku tashti është Gjimnazi…,shkruan Koha Ditore.