Komuniteti egjiptian dhe ashkali është i integruar me shumicën në Podujevë. Kështu, të paktën ka thënë kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu në një takim me zëvendësministrin e Administratës Publike, Mustafë Myrtaj dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha, njofton Zyra për Informim e Komunës së Podujevës.
Veliu tha se komuniteti egjiptian dhe ashkali në Komunën e Podujevës është plotësisht i integruar dhe jetojnë në fqinjësi të mirë me komunitetin shumicë.
“Ky komunitet është plotësisht i integruar dhe i barabartë me komunitetin shumicë. Ata jetojnë në vendbanimet, në të cilat ishin edhe para luftës. Në lagjet e këtij komuniteti është ndërtuar e gjithë infrastruktura e nevojshme. Janë asfaltuar rrugët, janë ndërtuar trotuare, ujësjellës dhe kanalizim”, ka thënë Veliu.
Në takim u tha se komuna ka bërë gjithçka në përfshirjen e pjesëtarëve të këtij komuniteti në shkollimin fillor dhe të mesëm, si dhe për nxënësit e shkollave të mesme të komunitetit shkali dhe egjiptian komuna ka siguruar falas tekstet shkollore dhe ka ndarë bursa për nxënës dhe studentë.
Nga ana tjetër, zëvendësministri Myrtaj dhe deputeti Berisha, duke shprehur kënaqësinë për integrimin e mirë të këtyre komuniteteve, shprehën shqetësimin për shkallën e madhe të papunësisë së pjesëtarëve të komunitetit egjiptian dhe ashkali.
Ndërsa, Veliu tha se shkalla e lartë e papunësisë është një problem i përgjithshëm, por premtoi se do të përpiqet që në kuadër të nevojave të administratës komunale të shqyrtojë mundësinë e punësimit të pjesëtarëve të komunitetit egjiptian dhe ashkali./Llapi.info