Agjencia Kundër Korrupsionit i ka gjetur shkelje të legjislacionit për Prokurimin Publik Komunës së Podujevës, me arsyetimin se Komuna e Podujevës, si Autoritet Kontraktues gjatë përpilimit të dosjes së tenderit “Ndërtimi i urave në lagjen Duriqi, Jaha si dhe ndërtimi i murit mbrojtës në Metehi” nuk ka dhënë vëmendjen e duhur, ku edhe janë bërë disa shkelje që bien ndesh me legjislacionin për Prokurim Publik, raporton Llapi.info.

Në opinionin që ka dhënë AKK-ja për Komunën e Podujevës, thuhet se veprimet e Autoritetit Kontratues (Komunës së Podujevës), bien ndesh me Nenin 27 Dosja e Tenderit dhe Nenin 36 Procedurat për kuotimin e çmimeve të Ligjit për Prokurimin Publik dhe se rastet e kontratave për punë Procedura e Kuotimit të Çmimit mund të përfshijë vetëm riparime apo mirëmbajtje dhe jo pozicione të ndërtimit, aktivitet ky që nuk lejohet të zhvillohet me këtë procedurë, e të cilën gjë e ka bërë Komuna e Podujevës në tenderin në fjalë.

“Në Dosjen e Tenderit “Ndërtimi i urave në lagjen Duriqi, Jaha si dhe ndërtimi i murit mbrojtës në Metehi” bazuar në emërtimin e procedurës dhe në numrin e prokurimit, del të jetë zgjedhur “Procedura e Kuotimit të Çmimit” për të realizuar punët e parapara në këtë aktivitet prokurimi.
Autoriteti kontraktues mund të përdorë procedurat për kuotimin e çmimeve për të ushtruar një aktivitet të prokurimit që ka për qëllim dhënien e një kontrate të punëve, furnizimeve ose shërbimeve me vlerë minimale ose të vogël. Në rast të kontratave për punë Procedura e Kuotimit të Çmimit mund të përfshijë vetëm riparime apo mirëmbajtje. Në rastin konkret, Autoriteti Kontraktues ka të bëjë me pozicione të ndërtimit dhe një aktivitet i tillë nuk lejohet të zhvillohet me këtë procedurë. Nëse vlera e parashikuar është në limitin e Kuotimit të Çmimit, Autoriteti mund të përdor procedurë të hapur me vlerë të vogël. Veprimet e Autoritetit Kontraktues konsiderojmë që bien ndesh me Nenin 27 Dosja e Tenderit; dhe Nenin 36 Procedurat për kuotimin e çmimeve të Ligjit për Prokurimin Publik”, thuhet në opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Agjencia Kundër Korrupsion i ka rekomanduar Komunës së Podujevës që të marr hapat e nevojshëm për evitimin e shkeljeve të lartcekura dhe të veprojë në pajtim me ligjin e Prokurimit gjatë vazhdimit të aktivitetit në fjalë./Llapi.info


shkelja

 

shkelja 1