Gjatë vitit 2015 Komuna e Podujevës investimet kapitale kryesisht i ka bërë në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, kanalizimit dhe projekteve për shërbimet publike, njofton Llapi.info.
Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, në debatin publik që u organizua të mërkurën me qytetarë tha se deri tani janë asfaltuar 40 km rrugë në fshatra dhe lagje të qytetit.
“Janë ndërtuar 67,3 km kanalizim, ka filluar ndërtimi i kolektorit Gllamnik-Konushec, Sfeqel-Shtedim dhe Shtedim-Dumnicë. Gjithashtu janë ndërtuar 10 ura dhe është bërë zgjerimi dhe pastrimi i shtretërve të lumenjve”, ka thënë Rudari, duke treguar se janë ndërtuar edhe 18,300 m2 trotuare dhe është investuar në ndriçimin publik.
Rudari, po ashtu ka treguar për investimet në sektorin e arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë.
“Kemi subvencionuar ndërtimin e e 30 serrave (me sipërfaqe nga 300m2). Kemi subvencionuar fermerët me 135,000 fidanë të mjedrës, në vlerë prej 87,750.00 si dhe kemi përkrahur bletarët me 1,000 shoqëri bletësh”, ka shtuar Nexhmi Rudari.
Nga ana tjetër, drejtorët e drejtorive komunale informuan qytetarët lidhur me projektet prioritare të planifikuara dhe të miratuara me buxhetin e Komunës për vitin 2016./Llapi.info