Shtylla me disa drunj jo fort të drejtë dhe e shtruar me pak rërë është fusha sportive ku nxënësit e shkollës fillore “Ali Ajeti” në fshatin Lladofc, të Podujevës duhet të mbajnë orën e edukatës fizike.

Për ushtruesin e drejtorit të kësaj shkolle, Misim Jakupi, vështirësitë për mbajtjen e orës së edukatës fizike janë të mëdha si për nxënës ashtu edhe për mësimdhënës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Megjithëse, në shkollën amë në Sfeçël, ku Jakupi ka edhe zyrën e tij, ekziston fusha sportive e shtruar me asfalt dhe me shtylla adekuate, ai thotë se shkolla që nuk ka sallë ka vështirësi për mbajtjen e kësaj ore.

Shkolla në Lladofc është paralele e shkollës “Ali Ajeti” në fshatin Sfeçël.

“Vështirësitë janë pa dyshim të mëdha, pra janë evidente pasi ajo fushë nuk është e shtruar me asfalt. Por, edhe po të jetë e tillë, shkolla pa një sallë sportive ka vështirësi kur bie borë e shi. Po ashtu edhe kur nuk i ke pajisjet adekuate, pra nuk mund të mbahet ora mirë, ose të menaxhohet mirë, e sidomos kur nuk ka shtylla, fusha pa asfalt vështirësitë janë evidente”, ka thënë Misim Jakupi.

(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)