Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se LDK i ka rritur të gjitha synimet e përcaktuara qysh në themelimin e saj para 26-vitesh.
“Pas 26 vjet punë aktiviteti, LDK-ja ka arritur synimet të cilat i ka pasur të përcaktuara qysh atëherë me sloganin e mirënjohur “Liri, Pavarësi, Demokraci”. Janë përmbushur thuajse të gjitha ato, me përjashtim se Demokracia është diçka që duhet të zhvillohet në vazhdimësi. Liria dhe Pavarësia janë arritur. Pas 26 vjet LDK-ja është në gjithë Kosovën, e organizuar në degë dhe nëndegë, dhe në disa komuna është në udhëheqje”, ka thënë Veliu për Gazetën Tribuna, përcjall Llapi.info.
Nënkryetari i LDK-së, njëherësh edhe Kryetar i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka thënë se LDK ka shënuar arritje të jashtëzakonshme.
“Sot LDK-ja është në krye të Qeverisë, ka arritje të jashtëzakonshme. Gjatë kësaj periudhe por natyrisht që ka pasur edhe vështirësi dhe sfida”, ka thënë Veliu.
Ai thekson se janë duke punuar që të dalin partia e parë të vend.
“Ne në vazhdimësi jemi duke punuar që të organizohemi edhe më mirë në mënyrë që të dalim partia e parë, Qeveria e Kosovës në krye të së cilës është lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka marrë disa veprime që kanë qenë jashtëzakonisht të rënda dhe si pasojë e kësaj dikush mund të mendoj se nuk kanë qenë të mira, por unë mendoj se ato veprime kanë qenë dhe janë të mira për Kosovën”, ka thënë më tej Veliu.
Veliu gjithashtu ka thënë se procesi i reformave në LDK është proces i vazhdueshëm, dhe se janë të mirëseardhur të gjitha ata që mund të kontribuojnë në këtë parti.
“Procesi i reformave është proces i vazhdueshëm. Në LDK janë të mirëpritur, të mirëseardhur të gjitha ata që mund të kontribuojnë, pa marrë parasysh a janë të rinj apo të vjetër”, ka thënë Veliu.
Lidhja Demokratike e Kosovës u themelua më 23 dhjetor të vitit 1989.