Sot u shënua 17 vjetori i Betejës së Llapashticës, betejë në të cilën ranë heroikishit 10 dëshmorë të Llapit.
Në përkujtim të këtyre dëshmorëve u organizua një manifestim nga tri shoqatat e dala nga lufta, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve në krye me Xhemshit Gashin, Kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve.
Xhemshit Gashi në një prononcim për Llapi.info tha se kjo është dita më e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare në Llap. Ai tregoi se në këtë ditë kanë rënë dhjetë dëshmorë për çlirimin e atdheut tonë.
Ndërsa Fadil Mulliqi, Kryetar i Shoqatës së Veteranëve në fjalimin e tij tha se dëshmorët me veprën e tyre janë dëshmia më e mirë se si luftohet dhe vdiset për çlirimin e atdheut.
“Pavdëkësinë e shënuan në kujtesën e popullit dhe në histori”, ka thënë Mulliqi.
Ajet Potera, përfaqëues i Brigadës 151, tha se edhe pse një dimër i ashpër me një acar të akullt, këta djem ishin më të vendosur se kurrë të respektonin ata që kishin në krahë dhe në ballë, Emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ata luftëtarë dëshmorë dhe këta luftëtarë të gjallë që ndodhen në mesin tonë, e kishin kuptuar se nuk ka gjë më të shenjtë se dashuria dhe lufta për çlirimin e atdheut. Mbi të gjitha në shprtin dhe mendjen e tyre mbizotëronte ideja vetëm si ta arrinim lirinë.Liria nuk falet. Ajo fitohet.” , ka thënë Potera.
Manifesimi u shoqërua me këngë dhe poezi kushtuar këtyre dëshmorëve.
Në manifestim morën pjesë figura të shquara politike të vendit, si dhe familjarë të dëshmorëve, të cilët në fund të manifestimit bënë homazhe dhe vendosën kurora lulesh në labidarin e të rënëve në këtë betejë./Llapi.info