Komuna e Podujevës, me një manifestim të organizuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit, ka shënuar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, në të cilin Kryetari i Komunës, z.Agim Veliu, i ka nderuar me mirënjohje veteranë të arsimit dhe mësimdhënës të dalluar. Mësimdhënësi më i dalluar në Komunën e Podujevës u shpall Nuhi Behrami, mësimdhënës në Gjimnazin “Aleksandër Xhuvani”.
Për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, në sallën e Kulturës në Podujevë, është mbajtur një manifestim i organizuar nga Drejtoria e Arsimit e Komunës së Podujevës.
Në këtë manifestim, përveç mësimdhënësve, ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të Komunës, z.Nexhm Rudari – nënkryetar i Komunës së Podujevës, z.Xhevat Llugaiu – shef në Drejtorinë e Arsimit dhe zyrtarë të tjerë.
Me këtë rast, nënkryetari i Komunës, z.Nexhmi Rudrai, duke uruar mësimdhënësit për ditën e tyre, përkujtoi historikun e shkollës shqipe dhe sprovat nëpër të cilat kaluan mësimdhënësit gjatë dekadave.
Nënkryetari Rudari tha se merita qendrore për ndriçimin e rrugës së lirisë dhe pavarësisë së atdheut pa dyshim se iu takon edhe mësuesve tanë, brez pas brezi.
“Fati i shkollës shqipe ka qenë dhe mbetet i lidhur ngushtë me fatin e popullit shqiptar, ajo shumë herë u ndalua, u mbyll dhe u dogj, për t’u ringritur sërish. Trungu i shkollës shqipe nuk është edhe aq i vjetër, megjithatë, rrënjët i ka sa të thella aq edhe të moçme. Ndërkaq, degët të reja, të shëndetshme, ashtu siç janë edhe vetë nxënësit tanë”, tha drejtori nënkryetari Rudari.
Ai tha se është ky edhe një rast i mirë për të përkujtuar ata që vunë themelet e shkollës shqipe, mundin dhe sakrificën që bënë por, edhe për të rikujtuar se na presin shumë punë në të ardhmen, për të qenë në shërbim të dijes, nxënësve dhe atdheut…
“Dita e Mësuesit, 7 Marsi, është ditë zyrtare e shkollës shqipe, edhe pse për shkronjën e për dijen sprova nisë shumë më herët që nga shekulli i XVII, përkatësisht, viti 1632 dhe në vitin 1638 në krahinën e Mirditës e më vonë më 1664 në Janjevë në shtëpinë e Andrea Bogdanit me mësuesin e parë Pjetër Mazrekun”, tha Rudari.
Më tej nënkryetari Rudari tha se “në kohëra të ndryshme, mësuesi shqiptar sakrifikoi shumë dhe u flijua për atdheun dhe kombin”.
“Me këtë rast duhet t’i përkujtojmë me pietet mësuesit e respektuar: Shaban Shalën, Fazli Greiqefcin, Nuhi Gashin, Fehmi Aganin, Latif Berishën, Xhavit Ahmetin, Halit Gecin, si dhe mësuesit e vrarë gjatë luftës së fundit, në mbrojtje të nxënësve dhe shkollës shqipe, në mbrojtje të Atdheut dhe popullit të saj, Ejup Shala, Jetullah Islami, Remzi Demolli, Faik Jaha, Salih Hetemi, Behxhet Podvorica, Xhevat Jupolli, Hajdin Rexhepi e shumë të tjerë”, tha nënkryetari Rudari.
Më tej nënkryetari tha se kushtet për mësimdhënie dhe të nxënë mësim mbeten ende përparësi për Komunën, e që kanë për qëllim standardin dhe cilësinë në arsim.
“Investimet në infrastrukturën shkollore dhe jashtë shkollore si dhe trajnimet e mësimdhënësve janë të përhershme e domethënëse. Mbi traditën e vyer, vlerat e konsoliduara, ju mësues e arsimtarë do të dini dhe gjeni mënyra kreative për të siguruar cilësinë dhe konkurrencën në tregun e dijes dhe punës”, tha nënkryetari Rudari.
Fjalën e tij në këtë manifestim nënkryetari e përmbylli me Betimin e Mësuesit, të shkruar nga pedagogu i shquar zviceran Robert Dottrens: “Do ta kryej detyrën time me ndërgjegje dhe krenari.
Nxënësit e mi nuk do të jenë vetëm nxënës, por edhe fëmijë dhe kurrë nuk do të harroj që për fatin e tyre edhe vetë do të mbaj një pjesë të përgjegjësisë. Do ta mbroj me të gjitha mjetet e lejueshme nderin e profesionit të mësuesit. Kolegët e mi çdo herë do të jenë edhe miqtë e mi.
Në bashkëpunim me ta do të përpiqem ta përmirësoj punën e shkollës në kuptim të njohje së të gjitha të drejtave në edukimi dhe barazinë sociale në arsim. Këtë betim solemn e jap plotësisht në mënyrë të lirë dhe me nderë”.
Mësimdhënësi më i dalluar në komunën e Podujevës u shpall Nuhi Behrami, mësimdhënës në Gjimnazin “Aleksandër Xhuvani”, të cilin kryetari i Komunës, z.Agim Veliu, e ka nderuar me mirënjohje.
Me mirënjohje kryetari Veliu ka nderuar edhe mësimdhënësit e dalluar të shkollave fillore dhe të mesme si dhe mësimdhënësit veteranë. Me mirënjohje të veçantë, post mortum, janë nderuar tre mësimdhënës.
Mirënjohjet i ndanë, nënkryetari i Komunës z.Nexhmi Rudari dhe shefi në Drejtorinë e Arsimit, z.Xhevat Llugaliu.
Me një program artistik në këtë manifestim u prezantua grupi i shkollës së kitaristëve “Mirela”.