Janë vetëm pajisjet ato të cilat i mungojnë objektit të Maternitetit për të filluar punën, raporton Llapi.info.
Por, siç ka thënë Kryetari i Komunës së Podujevs, Agim Veliu, komuna ka nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë, dhe pajisjet do të sillen në fillim të vitit 2016.
“Objekti i maternitetit ka përfunduar dhe i pret vetëm paisjet. Ne e kem marrëveshjen me Ministrinë e Shëndetësisë. Pajisjet në bazë të premtimit të ministrisë do të sillen në fillim të vitit që po hyjmë, në vitin 2016”, ka thënë Veliu në konferencën e tij përmbyllëse për vitin 2015.
Veliu ka treguar se në vitin 2015 është ndërtuar edhe një ambulancë në Batllavë. Ndërsa, sipas tij, janë edhe dy-tri objekte që duhet me i ndërtu për shkak se janë objekte të vjetra dhe nuk i plotësojnë standaret e kërkuara.
“Tash më qytetari i Komunës së Podujevës kudo qoftë nuk ka nevojë të udhëtojë më tepër se tri kilometra, ashtu sikurse kërkohen në standard për të kërkuar ndihmë apo shërbim shëndetësorë”, ka shtuar Veliu.
Llapi.info në muajin shkurt të këtij viti kishte raportuar për çështjen e Maternitetit, me ç’rast drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Podujevë, Agron Hyseni, nuk kishte treguar koston e ndërtimit të këtij objekti, me arsyetimin se kjo është çështje e brendshme e komunës./Llapi.info
Lexo edhe këtë: Drejtoria e Shëndetësisë në Podujevë jotransparente, nuk tregohet kostoja e ndërtimit të Maternitetit