PDK-ja megjithatë ka një person që ka vota në Podujevë, pavarësisht që nuk e ka fituar këtë qytet. Latif Gashi, që la pozitën e deputetit për ta pritur një vendim gjykate, ka folur për Indeksonline për të ardhmen e tij politike dhe për punën si deputet. Gashi e ka konsideruar politike themelimin e Gjykatës Speciale, por ka konsideruar se është dashur të votohet për t’i larguar pretendimet se UÇK ka kryer krime. Ai ka folur edhe për gazin në Kuvend, opozitën, demarkacionin me Malin e Zi…
Indeksonline: Që nga pas lufta Podujeva ka qenë bastion i LDK-së. Konsideroni se zgjedhjet e ardhshme do ta fiton PDK-ja Podujevën?
Latif Gashi: Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Podujeve ka një organizim të mirë në territorin e Komunës, ka një anëtarësi stabile, tani kemi edhe aderimin e ish- kryesisë së AAK-së. Pothuajse me të gjitha nëndegët e saj në PDK së bashku me ansableistin e tyre.
Strukturat udhëheqëse të PDK-së edhe në Podujeve kanë krijuar hapësire për angazhimin e kuadrove te reja profesionale.
Meqë para një muaji e lash pozitën e deputetit: Falënderoj të gjithë votuesit e mi,të cilët më besuan për dy mandate të isha deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, strukturat e PDK-se në nivelin qendror dhe atë lokal si dhe Grupin Parlamentar të PDK-së.
Gjatë këtyre 5 viteve mu besua të isha anëtar i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa.
Përveç angazhimit tim të përgjithshëm, duke i njohur problemet dhe nevojat e qytetarëve të Llapit edhe pse Komuna jonë udhëhiqej nga LDK-ja.
Strukturave udhëheqëse të Komunës ju kam afruar bashkëpunim, nga të cilat ka pasur disa kërkesa buxhetore prej Kuvendit Komunal të Podujevës që të gjitha u janë plotësuar.
Jam shume falënderues ish-kryeministrit Thaçi nga i cili pata përkrahjen për shumë projekte kapitale që u investuan në Llap, gjithashtu ish-kryetaren e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Haderxhonaj si dhe të gjithë anëtarët tjerë të KBF të cilët me përkrahën për propozim-projektet kapitale jetike për Komunën tonë.
Duke e ditur se klasa politike aktuale që e udhëheq Komunën e Podujevës ka traditë të mosinformimit të qytetarëve për investimet që janë bërë nga niveli qendror apo i atribuon si suksese të veta, për korrektësi ndaj qytetarëve do ti përmendi vetëm disa :
Nga viti 2008 deri në vitin 2014 me investime nga Qeveria Thaçi në Komunën tonë u ndërtuan 10 shkolla të reja, disa të tjera u rinovuan, dy janë të parapara tani për këtë vit në fsh Bajqinë dhe fsh Halabak.
Janë shtruar mbi 100 km rrugë regjionale dhe shumë km rrugë lokale.
Është rregulluar shtrati I lumit Llap, investimi afër 900.000 euro
Disa nga këto projekte janë rekomandime të Komisionit për Buxhet dhe Financa,psh:
Rruga;Orllan-Bervenik afër 8 km e cila ka kushtuar rreth 1.400 000 E
Rruga; Koliq- Dyz mbi 8 km, investim rreth 1.200.000 E
Rruga; Pollate-Recice-Dem Ahmet afër 8 km, investimi mbi 1.200.000E
Disa rruge ne fshatin Dyz- investimi rreth 650.000 E
Po ashtu me iniciativën time ne KBF është aprovuar buxheti për ndërtimin e katër Komplekseve Memoriale:
Kompleksi Memorial “Zahir Pajaziti’’ në fsh Orllan i cili është përfunduar.
Kompleksi Memorial “Baza e Parë e UÇK-së” në fsh Lladovc në përfundim e sipër.
Kompleksi Memorial “Varrezat e Deshmoreve ne fsh Penuhe në përfundim e sipër.
Është ndarë buxhet edhe për Kompleksin Memorial “Afrim Zhitia”.
Por nga Kuvendi Komunal janë ndërprerë punimet tani e disa vite, me arsyetimin se është e uzurpuar prona Komunale
Janë ndërtuar 50 shtëpi në ish-lagjen e Kuvajtit tani lagja e familjeve të dëshmorëve.
Në vitin 2014 nga Qeveria Thaçi është marr vendimi për zgjerimin e rrugës Podujeve-Merdar, është bërë studimi I fizibilitetit dhe projektimi i saj, për vitin 2016 janë ndarë 1.500.000 E për fillimin e punimeve.
Për vitin 2016 është ndarë buxhet edhe për rrugën Orllan-Ballaban përreth liqenit të Batllavës.
Kështu që në Komunën e Podujevës nuk ashte asnjë rrugë që i takon nivelit qendror që nuk është përfunduar apo që nuk ju ka ndarë buxheti për fillimin e punimeve.
I numërova vetëm disa projekte kapitale të investuara nga Qeveria për këto pak vite, për ti dhenë përgjigje pyetjes tuaj për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Pranë strukturave të PDK-se në Podujeve afrohet edhe më shumë me qytetarët duke informuar për punën dhe angazhimet e tyre deri tani dhe i shpalos projektet e saj për të ardhmen e Komunës , jam i bindur se PDK-e i fiton zgjedhjet bindshëm edhe në Komunën e Podujevës.
Indeksonline: Viti I fundit mund të konsiderohet si viti i gazit që ka pamundësuar punën normale te Kuvendit. Sa e ka dëmtuar Kosovën në proceset integruese?
Latif Gashi: Viti 2015 ishte një vit bllokues. Opozita e zhgënjyer nga humbja e gjashtë palë zgjedhjeve, në vend se të ulet dhe të korrigjoj programet e tyre, të ofroj alternative për zgjedhjen e problemeve të qytetarëve, ajo zgjodhi rrugën e krijimit të problemeve, çoftë me bllok për 6 muaj apo më vonë me gaz, pra zgjodhi rrugën më të keqe të mundshme jashtë institucionale të realizoj qëllimet e tyre, jashtë vullnetit të qytetarëve, të marr pushtetin nëpërmjet mjeteve jo demokratike.
Natyrisht se i ka dëmtuar shumë të gjitha proceset integruese të Kosovës, duke e bërë Kosovën shembull të keq të demokracisë opozitare.
Indeksonline: Është debatuar shumë demarkacioni me Malin e Zi dhe ju keni qenë luftëtar i UÇK-së. A do të pranonit që t’i shkëputej Kosovës një pjese e tokës?
Latif Gashi: Vendi jonë sot është i pavarur, ka institucionet e veta legjitime të dala nga vota e lirë e qytetarëve, ka partneritet të mirë me SHBA-të dhe shtetet më të fuqishme Evropiane. Në lidhje me demarkacionin është folur shumë, personalisht dua të besoj se edhe ky obligim i Kosovës do të zgjidhet në mënyrë institucionale duke u ruajtur territori i Kosovës i cili është i mbuluar me gjakun e gjeneratave të tera.
Indeksonline: Ju keni votuar themelimin e Gjykatës Speciale, që do t’i hetonte pretendimet e mundshme që UÇK ka kryer krime. Mendoni se krijimi i Gjykatës Speciale është politike?
Latif Gashi: Po absolutisht është politik me vet faktin që Serbia dhe Rusia e kanë sponsorizuar një raport të Dick Martit dhe i njëjti ka arritur të bëhet vendim politik i Këshillit të Evropës. Kosova respektivisht institucionet e saja i kanë pas vetëm dy rrugë:
Ti thonë JO Evropës apo të plotësojnë dhe këtë kërkesë politike, në mënyrë që vendi jonë të integrohet në Strukturat Euro-Atlantike.
Pra sakrifica e lirisë individuale fizike e atyre që do të kenë fatin të plotësojnë dhe këtë standard politik, nuk do të jetë më e madhe se forca shpirtërore-morale e tyre për liri dhe pavarësi.
Pra duhet pasur parasysh se Kosova është edhe Projekt Ndërkombëtar pa të cilët nuk do të ishim këtu, andaj edhe kur nuk na bie mire neve personalisht e është për të mirën e vendit duhet të jemi shembull për gatishmëri t’i shërbejmë vendit aq sa ka nevojë.
Indeksonline: A prisni t’i ktheheni politikës pasi keni lënë mandatin e deputetit?
Latif Gashi: Tani e një muaj e kam lenë mandatin e deputetit, është herët të flas për të ardhmen time politike, kam dashur të jem shembull, për të kryer obligimet e mia, ndaj shtetit, të dal nga një vendim politik i një gjykate të padrejtë, si qytetar e jo si deputet.
Sa isha në politik, për vetëm disa vite, jam munduar të jap kontributin tim maksimal në Komisionin për Buxhet dhe Financa, kam arritur të realizoj shume projekte të cilat do t’ju qëndrojnë shekujve.
Indeksonline: A mund t’iu shohim si kandidat të mundshëm për qytetin e Podujevës?
Latif Gashi: Edhe pse në dy parë zgjedhje nacionale isha kandidati më i votuar nga të gjitha subjektet politike në Llap, nuk e kam menduar asnjëherë të kandidohem për kryetar Komune.
Partia Demokratike e Kosovës në Podujevë ka mjaft kandidat tjerë, politik e profesional për të fituar zgjedhjet e ardhshme lokale./Indeksonline/