Kryefamiljarja N. Kastrati nga Podujeva e cila jeton me një fëmijë jetim është bërë me shtëpi të re, raporton Llapi.info. Kjo falë iniciativës së OJQ. Shoqata Kulturore “Devotmshëria”, dhe ndihmës së një donatori nga diaspora, ndihmë të cilës i janë bashkangjitur edhe disa bamirës më pas.
Drejtori i OJQ-së “Devotshmëria”, Jetmir Rrahmani ka thënë për Llapi.info se projekti ka përfshirë ndërtimin dhe mobilimin e shtëpisë për familjen e N. Kastratit nga Podujeva.
“Kryefamiljarja është një nënë me një fëmijë jetim, e cila deri tani ka jetuar pa kushtet më elementare për banim, por falë Zotit dhe kontributit të bamirësve ata tani e tutje do të bëjnë një jetë normale në shtëpinë e re. Shtëpia ka një hapësirë tejet komode për këtë familje, posedon dy dhoma gjumi, sallonin me kuzhinë, një korridor dhe një banjo”, ka thënë Jetmir Rrahmani.
Ai ka premtuar se shoqata që ai drejton është e përkushtuar që të vazhdojë aktivitetin e saj bamirës edhe në të ardhmen.
“Përderisa kemi familje të tilla në nevojë dhe se projekti si ky i përfunduar me sukses tregon se ne shqiptarët mund të realizojmë projekte te tilla edhe pa ndihmën e të huajve”, ka shtuar Rrahmani, duke falënderuar të gjithë donatorët të cilët kanë kontribuar me mjete, me materiale të ndryshme si dhe me kryerjen e punimeve të ndryshme deri ne përfundimin e shtëpisë./Llapi.info