Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën në Podujevë përmes një komunikate për media, kanë thënë se Komuna e Podujevës e cila udhëhiqet nga Agim Veliu, po bllokon qasjen e subjekteve opozitare në objektet publike.
Ata kanë thënë se frika e pushtetit në ikje, po manifestohet me masa represive ndaj opozitës së bashkuar edhe në nivel lokal, në komunat e udhëhequra nga PDK dhe LDK, përcjell Llapi.info.
Sipas tyre, Komuna e Podujevës nuk u ka lejuar mbajtjen e takimeve mobilizuese në disa shkolla të Podujevës dhe takimin mobilizues në sallën e filmit, takim ky i planifikuar të mbahet sot./Llapi.info
Lexoni komunikatën e plotë të këtyre partive:
Frika e këtij pushteti ne ikje, po manifestohet me masa represive ndaj Opozitës së Bashkuar edhe në nivel lokal, në komunat e udhëhequra nga PDK dhe LDK.
Janë anuluar tubimet mobilizuese, të cilat do duhej të mbaheshin në disa prej shkollave fillore të Besianës dhe tubimi kryesor që do duhej të mbahej sot, me 7 janar 2016 në sallën e filmit, pasi që Komuna e Besianës, e udhëhequr në mënyre despotike nga Agim Veliu dhe LDK-ja, kanë bllokuar qasjen e subjekteve opozitare në objektet publike.
Opozita e Bashkuar në nivel të Besianës, iu kerkon falje të gjithë aktivistëve dhe qytetarëve, të cilët sot u nisën për të marrë pjesë në tubimin kryesor dhe i fton të gjithë, që të na bashkohen ditën e shtunë, me 9 janar, në rrugën tonë drejt Prishtinës, në rrugën tonë të përbashkët për Republikën. Le të protestojmë në mënyrë paqësore deri në dorëheqjen e qeverisë.
Nisja e përbashkët, bëhet të shtunën në ora 11:00-11:30, nga stacioni i autobusëve.
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
NISMA për Kosovën
7 janar 2016, Besianë