E kishin organizuar edhe mbajtjen e një banketi për nder të hapjes së shkollës së re, por banorët e fshatit Halabak të Podujevës ende janë të detyruar t’i bartin fëmijët e tyre deri në shkollën amë “Shefki Kuleta” të fshatit Tërrnavë.

Ministri i Arsimit…, Arsim Bajrami, në ditën e përurimit, më 3 nëntor 2015, kishte thënë se fëmijët e fshatit Halabak, do të nisnin mësimin në shkollën e re nga gjysmëvjetori i dytë. Por, kjo ende nuk ka ndodhur. Rreth 80 nxënësit e këtij fshati ende udhëtojnë deri në shkollën e Tërrnavës për të ndjekur mësimin, shkruan sot “Koha Ditore”.

Banorët ankohen se fëmijët e tyre ende duhet të udhëtojnë deri në 5 kilometra në një drejtim për të ndjekur mësimin.

“Ministri na ka premtuar se shkolla do të përfundonte për 45 ditë edhe që mësimi në shkollën e re të Halabakut do të niste nga gjysmëvjetori i dytë, po nuk ka nisur. Sipas kompanisë shkolla ka përfunduar dhe më patën thënë (para disa ditëve) se brenda dy ditëve do të pritej shiriti. Bile e patëm organizuar një banket për nder që po hapej shkolla e re. Unë kam qenë njëri prej tre organizatorëve të atij banketi, po shkolla nuk u hap. Askush ma prej atëherë nuk ka ardhur. E fëmijët po udhëtojnë në këmbë nga 5 kilometra”, ka thënë Raif Pllana.

Drejtori i Arsimit, Avni Maloku, ka thënë se të martën ka shkuar Komisioni për të bërë pranimin teknik të objektit. Sipas tij, objekti është ndërtuar nga MASHT-i dhe nuk e di arsyen pse nuk është hapur deri tash.

Nga ana tjetër, në MASHT nuk kanë dhënë asnjë përgjigje pse është vonuar funksionalizimi i kësaj shkolle… (më shumë, sot në “Kohën Ditore”)