Me këngë dhe valle është përuruar objekti i ri i Shkollës Fillore “Shefki Kuleta” në Halabak të Podujevës, gurthemeli për ndërtimin e të cilës ishte vu me 3 nëntor 2015, raporton Llapi.info.
Me rastin e përurimit të kësaj shkolle, drejtori i shkollës, Xhemail Kuleta, tha se përurimi i shkollës së re është një ëndërr e sa brezave për të pasur një shkollë për të gjithë moshatarët e tyre dhe se nga kjo shkollë do të dalin njerëz që do t’i shërbejnë Kosovës.
“I nderuari minister Bajrami ne nuk kemi harruar momentin kur në shtator na mbushët plot me gëzim dhe na premtuat se së bashku me kryetarin e komunës sonë do t’a ndërtojmë shkollën brenda 45 ditëve, prandaj gëzimi i fëmijëve dhe bashkëmoshatarëve po shihet sot. Nëpër bankat e kësaj shkolle kanë kaluar shumë nxënës që sot janë kuadro të rëndësishme dhe jam i bindur se edhe më tutje nga kjo shkollë do të dalin njerëz që do t’i shërbejnë Kosovës”, ka thënë Kuleta.
Ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, tha se sot është një ditë feste për fshatin Halabak, është një ditë shumë e rëndësishme për Ministrinë e Arsimit dhe për të personalisht. Sipas tij, nuk ka gjë më të shenjtë sesa të punoj dhe veproj që këta nxënës të kenë ambiente të mira të shkollimit.
“Ne ishim këtu para tre muajve dhe unë dëshiroj t’i falënderoj të gjithë banorët që besuan në fjalën e dhënë. Ishim në një moment fatkeqësie kur shkolla u djeg dhe për një ministër nuk ka gjë më të shenjtë sesa të punoj dhe veproj që këta nxënës të kenë ambiente të mira të shkollimit dhe të ruhen nga cilido rrezik të cilin ata e kanë pasur çdo ditë të ekspozuar për të shkuar tek shkolla që e kanë disa kilometra larg”, ka thënë Arsim Bajrami.
Ai premtoi se pas një muaji sërish do të vizitoj shkollën e Halabakut për të parë se sa janë të kënaqur nxënësit dhe prindërit, sepse për të reforma nuk është vetëm ndërtimi i shkollave, por edhe mësimdhënia cilësore.
Ndërsa, nënkryetari i komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, tha se kjo shkollë bashkëkohore do të jetë një parakusht i mirë për ngritjen e cilësisë në arsim në këtë shkollë dhe në komunën e Podujevës në përgjithësi.
Ai falenderoi Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tij me një reagim shumë të shpejtë ka arritur që të ndaj buxhetin në fund të vitit për ndërtimin e kësaj shkolle.
Objekti i ri i shkollës së Halabakut ka pesë klasë mësimi. Ndërtimi i saj erdhi pas flakës që dikush i kishte dhënë objektit të vjetër të kësaj shkolle./Llapi.info