Vendosja e njehësorëve në shtylla nga ana e KEDS-it në Podujevë po del të jetë problematike. Derisa, zyrtarët komunal të Podujevës thonë se KEDS nuk ka leje për vendosjen e njehrësorëve pasi prishet plani urbanistik i komunës, KEDS thotë se njehësorët po vendosen me dakrodimin e komunës.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Podujevë, Faik Muçiqi, ka thënë se KEDS nuk ka leje për këto investime dhe se kjo çështje nuk i takon drejtorisë të cilën ai e udhëheq.
“Shko vete drejtorinë e Inspeksionit. Drejtoria e Shërbimeve s’ka të bëjë me këtë. Ato hyjnë në kuadër të projekteve të përgjithshme. Na s’kem as kërkesa. S’ka leje, s’kanë pëlqime. Kërkesat për investime i kanë bërë në drejtori të Urbanizmit”, ka thënë Muçiqi për Llapi.info.
Por, edhe drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Durim Salihu, ka thënë se kjo çështje nuk i takon drejtorisë së tij.
“Drejtoria e Urbanizmit s’ka të bëjë me këtë. Është drejtoria e Shërbimeve Publike. KEDS s’ka leje. S’kanë leje për atë punë”, ka thënë Salihu.
Tjetër përgjigje ka dhënë zëdhëndësi i KEDS-it, Viktor Buzhala. Ai në një përgjigje përmes e-mailit ka thënë për Llapi.info se KEDS vendosjen e njehësorve po e bënë në dakordim me komunën, përkatësisht kryetarin e komunës së Podujevës, Agim Veliun.
“KEDS po i vendosë njehsorët jashtë në dakordim me komunën, përkatësisht kryetarin z. Agim Veliun. KEDS ka bashkëpunim të plotë me komunën e Podujevës dhe po investon fuqishëm në këtë komunë”, ka thënën Buzhala.
Sipas tij, këto kuti po vendosen në mënyrë që KEDS të ketë qasje më të lehtë të mirëmbajtjes, leximit dhe proceseve tjera, dhe se këto kuti po vendosen në të gjitha komunat, jo vetëm në Podujevë.
“Ato kuti po vendosen në mënyrë që KEDS të ketë qasje më të lehtë të mirëmbajtjes, leximit dhe proceseve tjera. Në çdo lokalitet ku janë vendosur, të përcjella me investime siç janë vendosja e rrjetit komplet të ri me shtylla betoni, ka patur përmiresim të jashtëzakonshëm të shërbimeve, sikurse rënie të humbjeve. Ato nuk po vendosen vetëm në Podujevë, por në të gjithë Kosovën dhe KEDS ka dakordimin e të gjitha komunave për ta bërë një gjë të tillë. Pra, nga këto investime po përfitojnë direkt qytetarët”, ka shtuar Viktor Buzhala.
Nëse këto investime që po bënë KEDS nuk janë me miratimin e komunës, ato mund të hiqen. Të paktën kështu ka thënë, drejtoresha e Drejtorisë së Inspeksionit në Podujevë, Florie Abazi-Besholli.
“Çdo send, jo vetëm ato që janë ngjitur, por çdo send që nuk është e miratuar nga komuna, menjëherë dalim me komision komunal dhe i largojmë”, ka thënë Abazi-Besholli.
Në një takim që kishte mbajtur në prill të vitit 2015, kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu, me drejtorin ekzekutiv të KEDS-it, Mehmet Koç, Veliu kishte premtuar mbështetje për investimet e KEDS-it, por duke kërkuar që kjo kompani të harmonizojë projektet me planet urbanistike të komunës./Llapi.info