Edhe pse objekti i ri i Shkollës Fillore “Shefki Kuleta” në Halabak të Podujevës është përuruar të enjtën, mësimi ende nuk ka filluar. Një banor i fshatit Halabak i ka thënë Llapi.info se fëmijët e tij nuk po e mbajnë mësimin në objektin e ri për shkak të mungesës së mësuesve.
Ai ka thënë se fëmijët e tij vazhdojnë të ndjekin mësimin në fshatin Tërrnavë.
Por, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, Avni Maloku, përmes një prononcimi telefonik për Llapi.info ka thënë se nuk është mungesa e mësuesve arsyeja që mësimi nuk ka filluar në shkollën e Halabakut. Sipas tij, janë disa çështje teknike që mësimi ende nuk ka filluar.
“Sot duhet me i dërgu disa lëndë djegëse për me e ngrohë ambientin sepse nuk ka. Muret me u ter edhe pak. Nuk është mungesa e mësuesve që nuk ka filluar mësimi, sepse të gjithë mësuesit që kanë qenë, dy në Tërrnavë, një si zëvendësim në Orllan dhe një në Bollopojë do të kthehen në shkollën e Halabakut, aty edhe ku kanë qenë. Janë çështje teknike që mësimi nuk ka filluar” ka thënë Maloku.
Sipas tij, mësimi do të fillojë të hënën, eventualisht të martën./Llapi.info