Rrjeti i OJQ- ve “Demokracia Fillon Këtu” ka lëshuar një komunikatë lidhur me ndërprerjen e mësimit në Gjimnazin “Aleksadër Xhuvani” në Podujevë.
Ky rrjet në komunikatën e tyre ka shprehur shqetësimin në lidhje me këtë problem, të cilët kanë thënë se mbrapa kësaj qëndron paaftësia menaxhuese e Drejtorisë se Arsimit në Komunën e Podujevës dhe Drejtorisë së Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”.
Ndërsa, zyrtarët komunal kanë thënë për Llapi.info se ndërprerja e mësimit është bërë për shkak të shmangies së ndonjë rreziku, i cili sipas tyre mund të shfaqet për shkak të problemeve me ngrohje.
“Në gjimnazin ‘Aleksandër Xhuvani’ në Podujevë, sot mësimi ka filluar normalisht, mirëpo pas orës së dytë, janë shfaqur probleme me qarkullimin e ujit në ngrohjen qendrore të shkollës, si pasojë e prishjes së termostatit, dhe për t’iu shmangur ndonjë rreziku eventual, nxënësit e ndërrimit të parë janë liruar nga mësimi”, ka thënë Bujari Gimolli, zyrtar për informim në Komunën e Podujevës.
Për më shumë ja edhe komunikata e plotë e Rrjetit të OJQ- ve “Demokracia Fillon Këtu”:
“Në emër të rrjetit të OJQ-ve lokale, shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me ndërprerjen e mësimit sot në Gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë.
Arsyetimi se për shkak të ngrohjes të ndërpritet mësimi në këtë shkollë është shumë për keqardhje, pasi që nisur nga fakti se jemi në muajin janar, ka pasur kohë të mjaftueshme për të bërë përgatitjet e nevojshme në aspektin teknik dhe drejtoria e arsimit ende nuk ka bërë zgjidhje për këtë problematikë.
Për këtë, ne ngrehim shqetësimin tonë se mbrapa këtij problemi qëndron paaftësia menaxhuese e Drejtorisë se Arsimit komunal të Podujevës dhe Drejtorisë së Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”.
Komuna e Podujevës për furnizim me materiale për ngrohje ka nënshkruar kontrata me vlerë të përgjithshme 271.490€ dhe kjo shumë e mjeteve do të duhej të mjaftonte për të siguruar ngrohje për të gjitha shkollat e kësaj komune.
Me qëllim të menaxhimit më të mirë me shkollat, ne i bëjmë thirrje Drejtorisë se Arsimit te bëjë konstituimin e këshillave të prindërve të shkollave, te cilët do te mbikëqyrnin me afër menaxhimin e drejtorëve te shkollave pasi nuk është hera e parë që kemi probleme të kësaj natyre.
Ne gjithashtu iu bëjmë thirrje prindërve te jenë me te zëshëm dhe me te organizuar pasi edhe ata janë përgjegjës për te siguruar qe drejtoret e shkollave janë ne nivel te detyrave siç kërkohet me ligj për arsimin para universitar.
Kërkojmë nga institucionet komunale që të ndërmarrin masa urgjentisht për zgjidhjen e këtij problemi në mënyrë që të mos mbesin mbrapa me realizimin e plan programit arsimor të punës pasi drejtpërdrejt pësojnë nxënësit.”/Llapi.info