Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë ka mbajtur dje një takim të përbashkët informues dhe konsultativ me delegatët e kësaj dege në Kuvendin Qendror të LDK-së, njofton Zyra për Informim e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.
Në njoftimin e kësaj zyreje thuhet se në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së Degës së LDK-së është biseduar për plotësimet dhe ndryshimet e Statutit të LDK-së dhe zhvillimet aktuale politike në vend.
Agim Veliu, kryetar i kësaj dege informoi anëtarët e Kryesisë dhe delegatët lidhur me propozimet e bëra për plotësimin dhe ndryshimet në Statutin e LDK-së.
“Komisioni për plotësimin dhe ndryshimet e Statutit të LDK-së ka mbajtur disa takime dhe tashmë ka dalë me disa propozime për plotësime dhe ndryshime. Aktualisht jemi duke mbajtur takime rajonale me degët e LDK-së, ku po diskutohen këto plotësime dhe po marrim propozime nga anëtarësia”, ka thënë Veliu.
Ai ka shtuar se pas përfundimit të takimeve rajonale do të mbahet Kuvendi i LDK-së, ku do të miratohen plotësimet dhe ndryshimet në Statutin e LDK-së.
Ai poashtu ka bërë të ditur se të mërkurën më 20 janar do të mbahet takimi rajonal i Prishtinës, ku do të marrë pjesë edhe Dega e LDK-së e Podujevës.
“Përveç çështjeve që kanë të bëjnë me plotësimet dhe ndryshimet e Statutit të LDK-së, në takim u bisedua edhe për zhvillimet aktuale politike në vend.
Kryetari Veliu gjithashtu informoi të pranishmit se Lidhja Demokratike e Kosovës, më 21 janar do të mbajë një manifestim përkujtimor, për shënimin e 10-vjetorit të vdekjes së kryetarit të LDK-së dhe Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova”, thuhet më tutje në njoftimin e Zyrës për Informim në Podujevë./Llapi.info