Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka vizituar fshatin Dobratin për të parë nga afër gjendjen e rrugëve në këtë fshat pas reshjve të borës. Lajmin për portalin Llapi.info e ka bërë të ditur Zyra për Informim në Komunën e Podujevës.

Gjatë vizitës në fshatin Dobratin, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, inspektoi aktivitetet e kompanisë kontraktuese “Vaakal” në largimin e borës në rrugët e këtij fshati, veçmas në Lagjen “Te Bajgorët”, ku nga reshjet e mëdha të borës rruga kishte ngelur e bllokuar.

Veliu, gjatë takimit me banorët e kësaj lagjeje, tha se kompania e kontraktuar nga Komuna po punon me të gjitha kapacitetet për të larguar borën nga rrugët.

“Edhe përkundër reshjeve të mëdha situata është nën kontroll dhe rrugët e komunës së Podujevës janë të kalueshme”, ka thënë Veliu.

Veliu ka apeluar te qytetarët që të kenë durim dhe të jenë të arsyeshëm, sepse kompania kontraktuese me të gjitha kapacitetet e saj po punon që t’i bëjë të kalueshme të gjitha rrugët edhe në lokalitetet më rurale.

“Nuk është e lehtë që të gjitha rrugët të mbahen të kalueshme, për faktin se në disa vende erërat po e bartin borën dhe po mbulon sërish rrugët. Kompania ka aktivizuar të gjitha kapacitetet e saj vetëm e vetëm për ti liruar rrugët për qarkullim të makinave dhe njerëzve” ka shtuar Veliu.

Veliu ka thënë se organet komunale po e monitorojnë në vazhdimësi situatën në terren, në mënyrë që rrugët të mbahen të kalueshme./Llapi.info

12552944_1661845310731839_2752326964393977539_n